Kosova ankesë kundër Serbisë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ngritur një ankesë zyrtare kundër Republikës se Serbisë në Sekretariatin e Komitetit Energjetik, bëjnë të ditur zyrtarë të kësaj kompanie.

Viktor Buzhala, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se KEK-u është i vetëdijshëm se dy operatorë të palicencuar, “Elektro Ekonomia e Serbisë” dhe e ashtuquajtura “Elektrokosmet”, nuk janë të regjistruara në Kosovë, por në mënyrë ilegale veprojnë në pjesën veriore të vendit.
Për këtë arsye, Buzhala thotë se çështja është ngritur në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë kundër Republikës së Serbisë për mosplotësim të obligimeve të saj ligjore sipas Traktatit për Komunitetin e Energjisë. “Këto kompani vazhdojnë të operojnë duke mos pasur licencë dhe duke ndërhyrë edhe në punët për të cilat është i autorizuar dhe licencuar në Kosovë vetëm KEK-u”, thotë Buzhala.
Ai rikujton se Korporata Energjetike e Kosovës, sipas kornizës ligjore dhe rregullative, është i vetmi operator i licencuar i sistemit të shpërndarjes dhe furnizues publik për tërë territorin e Kosovës.
Në anën tjetër Ethem Çeku, ish-ministër i Energjisë në kohën kur është nënshkruar marrëveshja për energji më vendet e Evropës Juglindore, pohon se Kosova është vonuar në procedurat ligjore kundër Republikës se Serbisë.
Ai thotë se veprimi i disa operatorëve ilegalë të Serbisë, në pjesën veriore të vendit, i kanë shkaktuar humbje të mëdha Korporatës Energjetike të Kosovës. “KEK-u është vonuar për të ngritur në aspektin juridik problemin në mekanizmat evropianë. Sepse, është thënë edhe herët mund të përdorën mekanizmat evropianë, për të ngritur përdorimin e linjës 400 kilovatëve që e bënë Serbia në drejtimin e Kosovës”.
“Serbia përdorë rrugën energjetike pa e kompensuar fare Kosovën. Dhe janë vite të tëra që është duke e përdorë, janë vite të tëra që e shantazhon në një farë forme Kosovën përmes rrugës energjetike. Edhe pse këto rrugë janë të ndërtuara qind për qind nga buxheti i Kosovës. Do të thotë, Serbia nuk e ka të drejtën e shfrytëzimit të 400 kilovatëshit, pa e bërë pagesën e transitit që e përdor për sektorin energjisë elektrike në Kosovë”, shprehet Çeku.
KEK-u këtë ankesë e ka ngritur në fillim të këtij viti, dhe deri më tash, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga mekanizmat përkatës të Traktatit.