Politika sfidon gjyqësorin

Gjyqësori në Kosovë nuk ka arritur të pavarësohet nga ndikimet politike, dhe indikacionet tregojnë se mungon vullneti politik që një gjë e tillë të arrihet, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike në vend.

Ish-ministri i drejtësisë, Haki Demolli thotë se ekziston një perceptim se politika e ushtron ndikimin në gjyqësor, ndërkohë që për një gjë të tillë kanë sinjalizuar edhe raportet e organizatave relevante ndërkombëtare.
“Ekziston një ndjenjë, një perceptim i përgjithshëm, që gjyqësori ende nuk është i pavarur plotësisht, nuk do të thosha vetëm nga politika, por edhe nga faktorët tjerë që ndikojnë. Pavarësisht se me legjislacion dhe me dispozita ligjore i garantohet pavarësia gjyqësorit, por praktika dhe rastet praktike tregojnë se herë-herë disa nga gjykatësit nuk veprojnë në mënyrë të pavarur, por janë nën ndikime të caktuara”, tha Demolli për Rel.
Mendim të ngjashëm ka edhe eksperti tjetër për çështje juridike, Ismet Salihu. Sipas tij, gjyqësori sot nuk i nënshtrohet presionit dhe ndikimit vetëm nga një rrymë politike, por më shumë.
“Për të qenë situata edhe më e keqe, është ndikimi i politikave të partive politike. Kjo është edhe më e keqe, më e rrezikshme dhe më e dëmshme se sa ndikimi i një politike. Edhe me rastin e emërimeve dhe riemërimeve të gjyqtarëve, ka tendenca, por edhe veprime të drejtë për drejta që partitë politike, përkatësisht politika, ti ketë njerëzit e vet në gjyqësor-gjykatësit, prokurorët, etj. Madje, i di rastet, që kanë qenë shuam të interesuar që në krye të gjykatave të caktuara të jenë njerëzit e partive, partizanët”, thotë Salihu.
Ai thekson se EULEX-i, pavarësisht të metave, që sipas tij i ka dhe vërejtjeve që i bëhen, ka arritur ti amortizojë dhe mos lejojë këto tentime, sepse e gjithë situata , siç thotë ai, do të bëhej edhe më keq se sa që është.
Ndryshe, të dy këta ekspertë të çështjeve juridike, vlerësojnë se për të arritur një shkallë të lartë të pavarësisë së gjyqësorit nga politika, është i nevojshëm vullneti politik i faktorëve politik.
Sido që të jetë, ekspertët e çështjeve juridike, vlerësojnë se pavarësimi i gjyqësorit nga politika, jo vetëm tash, por as në dhjetë vitet e ardhshme, nuk do të mund të bëhet pa ndihmën e ndërkombëtarëve.