‘Qëndrimet e VV për Haxhiun ende qëndrojnë’

Zyrtarë të Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë vendosur që të mos i komentojnë deklaratat e reja të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili edhe të dielën akuzoi Albin Kurtin për lidhje me Serbinë. Anëtarët e “Vetëvendosjes” deklaruan se për Kamishin vlejnë ato që janë thënë të shtunën gjatë një konference për media, se SHIK-u me dezinformata po mundohet të bëhet pjesë e qeverisjes.

Arbnor Behari, zyrtar për media në Lëvizjen “Vetëvendosje”, i pyetur nga Kosovapress rreth akuzave të bëra të dielën nga Haxhiu në adresë të kreut të “Vetëvendosjes”, tha se nuk kanë se çka të komentojnë për këtë, pasi që qëndrimet e tyre, lidhur me deklaratat e Haxhiut, mbeten ato të njëjtat që zyrtarë të kësaj partie i kanë thënë të shtunën në një konferencë për media.
“Krejt ajo çka ‘Vetëvendosje’ ka dashur të thotë në lidhje me deklaratat e Haxhiut, i kemi thënë dje në një konferencë për media. Andaj sot nuk kemi çka komentojmë në lidhje me këtë, pasi që qëndrimet e shprehura në konferencë ende qëndrojnë”, ka thënë ai.
Në një konferencë urgjente për media, Bekim Haxhiu, ka thënë se ndjen përgjegjësi për ato që deklaron, duke këmbëngulur se janë të vërteta takimet me serbë të liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.
Në Kuvendin e Kosovës, Haxhiu ka kërkuar nga Kurti të qartësojë raportet që ai ka pas me një femër nga Beogradi, e cila, sipas deputetit te PDK-së, ka qenë e bija e një ish ministri nga partia e Milosevicit. Ndërsa gjatë ditës së shtunë Lëvizja Vetëvendosje i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut (Kamishi), duke i quajtur ato si të pavërteta dhe të qëllimshme.