Vetëvendosje fiton terren...

Mocioni i miratuar më 7 dhjetor 20011 në Kuvendin e Kosovës, me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm e i propozuar nga lëvizja “Vetëvendosje”, distancimi i mëpastajmë politik në protesta dhe rrëzimi i mocionit nga Qeveria me një kundër-mocion të ri, vlerësohet si një dështim real i opozitës kosovare në procesin e bashkëveprimit. Në këtë rrafsh zhvillimor, janë LDK-ja dhe AAK-ja, subjekte politike që po humbin në terrenin opozitar karshi lëvizjes “Vetëvendosje”.

Për analistin politik Belul Beqajn, vlerësimet e LDK-së dhe të AAK-së për hapat e “Vetëvendosjes” nuk kanë qenë të qëlluara dhe të arsyeshme.
“Arsyetimet se gjoja është dashur të ndiqet rruga institucionale janë vetëm pretekste, meqë askush, prandaj as Vetëvendosje, s’i ka ndaluar ato parti që t’i ndjekin rrugët institucionale. Përkundrazi, ato duhet të rrisnin trysninë dhe të bënin më shumë të mundur realizimin e mocionit... Rrjedhimisht, meqë Kuvendi si institucion më i lartë është përdhosur, atëherë mund të nxirret konkluzioni se asnjë institucion tjetër më pak i rëndësishëm nuk ka mundur të ndikojë në zbatimin e mocionit, prandaj rrugë ishte forma e vetme demokratike legale dhe legjitime për të ndikuar sadopak në vetëdijen politike të qytetarëve dhe pushtetit miop”, ka thënë Beqaj për “Kosova Sot”.
Edhe analistët nga KDI-ja e shohin moskoordinimin e fundit të opozitës si një veprim jo të mirë politik, që nuk shkon në interes të përgjithshëm të qytetarëve të vendit.
“Mungesa e një komunikimi dhe bashkëpunimi të sinqertë mes bllokut opozitar në Kuvendin e Kosovës, në radhë të parë i dëmton vetë këto subjekte, duke dobësuar jetën parlamentare, si dhe duke krijuar një ambient të pashpresë për qytetarët e Kosovës”, thotë Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Për analistin Gjon Keka, çështja e mosmbështetjes së protestës nga LDK dhe AAK ka për bazë kulturën politike dhe institucionale të vendit, për çka këto subjekte veprimet opozitare i shohin brenda institucioneve.
“Por, gjithashtu, edhe protesta e lëvizjes “Vetëvendosje” duhet të cilësohet si demokratike dhe në kuadër të mospajtimeve normale politike dhe kontradiktave ideopolitike”.