Serbët e Veriut nuk e kanë ndërmend të pranojnë asgjë që vjen nga Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare - nëse nuk pyeten ata dhe Beogradi.
Të paktën kështu thotë Sekretari Shtetëror për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic, derisa komenton paralajmërimet e autoriteteve kosovare për një plan të ri për Veriun.
Ai thotë se për këtë pjesë duhet të bisedohet në Bruksel mes Kosovës, Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Ditë më parë, Qeveria e Kosovës paralajmëroi se do ta publikoj një plan, me të cilin synon shtrirjen e autoritetit shtetëror në Veri, përmes formimit të komunës së re, gjetjes së njerëzve që do ta pranonin autoritetin e Prishtinës si dhe investimet në atë pjesë.
“Qartë dhe thjesht: Plani duhet të hartohet jo vetëm nga njëra palë, por nga të gjitha palët, duke përfshirë Qeverinë e Serbisë, Bashkësinë Ndërkombëtare dhe Qeverinë e Prishtinës”, ka thënë Ivanovic për “Express”.
Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se plani i ri për Veriun do të jetë krejtësisht i bazuar në Pakon e Ahtisaarit, në bazë të së cilës funksion edhe shteti.
Fakti se Pakoja mbështet pavarësinë e Kosovës, sipas Ivanovicit është edhe arsye se serbët nuk e pranojnë.
Sipas këtij zyrtari serb, ka ardhur koha që Veriu i Kosovës të bëhet pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd dhe të gjendet një zgjidhje në bisedime, e jo me barrikada nëpër rrugë. Ka thënë se gurët, betoni dhe rëra nëpër rrugë do të hiqet atëherë kur të largohet rreziku nga “përdorimi i dhunës nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës”.
Bisedimet Kosovë-Serbi janë përkrahur edhe nga vendet e Grupit Ndërkombëtarë Drejtues (GND) që e përkrahin pavarësinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të ndihmojë serbët në Veri.
“Në Veri, kjo nënkupton decentralizimin shumë substancial që ofrohet nga Plani Gjithëpërfshirës për Statusin. Qeveria duhet të demonstrojë se ajo i kupton dhe i respekton të drejtat e tyre, brengat e tyre (sidomos ato që lidhen me sigurinë), gjuhën e tyre dhe identitetin e tyre”, thuhet në përfundimet e GDN-së.
Megjithëkëtë, Ivanovic thotë se rekomandimet e GDN-së janë të parëndësishme për serbët dhe Serbinë, duke mos e pranuar asnjë nismë të Prishtinës në drejtim të Veriut. Ai e ka përshëndetur veprimin e Zëvendëskryeministrit Slobodan Petrovic, i cili nuk e ka nënshkruar deklaratën e hartuar nga Kryeministri Thaçi, për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.