Në kundërshtim të projekt-ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, sot janë tubuar me mijëra qytetare në protestën, me moton “Nuk e duam ligjin”. Protesta e mbajtur në Sheshin Shadërvan të Prizrenit, e organizuar nga shoqëria civile e Prizrenit, ka dëshmuar edhe një herë mospajtueshmërinë e qytetarëve të Prizrenit me këtë projekt-ligj.
Në protestë u bë thirrje për heshtjen e fundit 15-minutështë, pas së cilës janë paralajmëruar veprimet edhe më të forta të shoqërisë civile dhe qytetarëve, deri në mosbindje qytetare ndaj ligjit nëse ai miratohet përfundimisht në Kuvendin e Kosovës.
Koalicioni i OJQ-ve në Mbrojtje të Qendrës Historike të Prizrenit ditëve në vijim do të njoftojë për veprimin e ardhshëm. Njëherazi, është bërë e ditur se Koalicioni i OJQ-ve e ka përgatitur parashtresën për Gjykatën Kushtetuese, në rast se projekt-ligji miratohet në Kuvendin e Kosovës.