Ish-ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka deklaruar se vendimi për fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë nuk varet nga zbatimi i Planit Ahtisaari në veri të vendit.
“As Qeveria e Kosovës, as Zyra Civile Ndërkombëtare dhe as aktorë tjerë ndërkombëtarë nuk kanë kontroll direkt mbi veriun. Kështu që, do të ishte gabim që përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të varet nga zbatimi i planit gjithëpërfshirës në Veri”, ka thënë Rohan të dielën për KosovaTimes.
Rohan mirëpret vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, me kusht që të zgjidhen disa çështje të hapura që kanë të bëjnë me zbatimin e Planit të Ahtisaarit. Lidhur me këtë, ai ka përmendur Ligjin për Hoçën e Madhe dhe Qendrën Historike të Prizrenit, zbatimin e plotë të Ligjit mbi përdorimin e gjuhëve, punësimin e pjesëtarëve të minoriteteve në institucione, si dhe Ligjin për vetëqeverisje lokale.
Ambasadori ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se ky dialog ka prodhuar disa rezultate pozitive mirëpo disa nga marrëveshjet nuk janë zbatuar ende. Lidhur me këtë përmend marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit. Rohan vlerëson se ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper, duhet të bëjë presion mbi Serbinë.
”Kjo në veçanti ka të bëjë me IBM-në, ku Serbia duket se ka lëvizur prapa nga ajo që është pajtuar në Bruksel. Për këtë çështje, ndërmjetësi i BE-së duhet të bëjë presion të nevojshëm mbi Beogradin për të siguruar zbatimin”, ka theksuar diplomati austriak.
Për temën e bashkëpunimit rajonal, Rohan thotë se qëllimi duhet të jetë që shteti i Kosovës të mund të marrë pjesë në takimet ndërkombëtare. Sipas tij, zgjidhja më normale do të ishte që në takimet rajonale Kosova të përfaqësohet me emrin “Kosovo”.