Dështojnë Lakersat

Skuadrat vendase ishin mjaft të suksesshme në përballjet e të shtunës në ligën më të fortë të basketbollit në botë- NBA. Nga gjashtë takimet e zhvilluara, nikoqirët i fituan pesë prej tyre.

Në përballjen më interesante që u zhvillua në Bradley Center, Milwaukee Bucks festuan përballë Los Angeles Lakers me rezultat 100-89. Më i miri te mysafirët ishte Kobe Bryant (27 pikë, nëntë asistime dhe tetë kërcime), i cili theu rekordin e Jerry West me numrin e gjuajtjeve të lira të shënuara.
Philadelphia 76ers fituan përballë Detroit Pistons (95-74), ndërsa Andre Iguodala në ditëlindjen e tij të 28-të regjistroi ‘triple-double’ për të tetën herë në karrierë.
Utah Jazz shënoi fitoren e 11- të të sezonit duke mposhtur Sacramento Kings (96-93), Phoenix Suns ndërprenë serinë prej tri humbjesh radhazi duke fituar në dëm të Memphis Grizzlies (86-84), Houston Rockets fituan ndaj New York Knicks (97-84), ndërsa skuadra e vetme që fitoi si mysafir ishte Washington Wizards që mposhti Charlotte Bobcats (102-99).