Evropa e ka harruar Kosovën!

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në një interviste për “The European Circle”, ka folur për progresin që po shënohet brenda Kosovës, në drejtim të konsolidimit të shtetit.

“Nga viti 2008, ne kemi ndërtuar një shtet nga themeli. Ne kemi bërë përparime shumë të mëdha në sundimin e ligjit, në politikat që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe me komunitetet. Nuk ka shtet në botë që u jep më shumë të drejta komuniteteve sesa Kosova”, ka thënë Ministri Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, ka folur edhe për situatën në veri të vendit. Hoxhaj tha se vetëm në veri të Kosovës, ka grupe të vogla, të cilat prodhojnë trazira, e të cilat nuk dëshirojnë të pranojnë që Kosova është shtet dhe i pavarur.
Ai shtoi se këto grupe kanë përkrahje të fuqishme nga Qeveria e Serbisë.
“Serbia edhe më tutje e definon veten në pyetjen e territorit: Cili vend është pjesë e Serbisë? Ndërsa ne e definojmë veten me pyetjen: Si të integrohemi në një Evropë të bashkuar? Ne mendojmë dhe ndjehemi si evropian dhe kjo është rruga më e mirë për të gjithë në Ballkan”, ka thënë Hoxhaj.
Ministri po ashtu ka folur për perspektivën evropiane të Kosovës dhe pritjet e kosovarëve në proceset integruese.
“Nganjëherë, në Kosovë e fitojmë përshtypjen që Evropa e ka harruar Kosovën. Ne kemi nevojë për më shumë Evropë, ne nuk dëshirojmë të humbasim interesimin e Evropës, pas 20 vjet luftë për pavarësi të Kosovës. Kosova është pjesë e Evropës”.