Jonuz Salihaj, drejtues i grupit të arsimit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka adresuar sot një varg kritikash për ministrinë e arsimit. Nuk e la pa folur as për vet ministrin Ramë Buja, i cili sipas Salihajt, nuk i ka informatat elementare për sistemin arsimor.
Ai kujtoi se si Buja, në konferencën ku ka paraqitur prioritetet për vitin 2012, ka përfshirë edhe klasën e 12 në shkollimin e obliguar. Kjo, sipas Salihajt, i bie që ministri nuk ka informacione, meqë shkollimi i mesëm në Kosovë nuk është i obliguar.
AAK-ja ka folur edhe për kornizën e kurrikulumit, për të cilën tha se është e pamundur të implementohet pa u bërë reforma në sistemin universitar, respektivisht në fakultetin e edukimit.
Ndërkaq, ai ka kritikuar qeverinë, për buxhetin e vogël që i ka lënë kësaj ministrie, duke e krahasuar me 4 kilometra asfalt.