Thaçi garanton miqësi me Slloveninë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur slloven, Janez Jansha.

“Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të qytetarëve dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si dhe në emrin tim, t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj kryeministër i Sllovenisë. Sllovenia është një shtet mik, që ka ndikuar pozitivisht në të gjitha zhvillimet politike në Kosovë, në të gjitha periudhat historike, që kulmoi me njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës më 2008. Institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj çmojnë lartë kulturën dhe zhvillimet demokratike të vendit tuaj, ashtu edhe përkushtimin e përgjithshëm për zhvillimin ekonomik, modernizimin e shoqërisë sllovene dhe integrimin e saj në botën e përparuar”, thuhet mes tjerash në urimin Thaçit.
Ai ka theksuar se është i sigurt që populli slloven dhe qeveria do të ecin edhe më tutje në rritjen ekonomike, begatimin dhe afirmimin e Sllovenisë në arenën ndërkombëtare, si model i shtetit që tejkaloi fazën e tranzicionit në mënyrë shembullore.
Thaçit ka garantuar miqësinë e popullit të Kosovës, thellimin e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës në të gjitha fushat, me urimin që të dy shtetet dhe popujt të shënojnë të arritura të larta, si në nivel të brendshëm ashtu edhe në atë global.