Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, është dukur i sigurt kur ka dhënë vlerësimin se qeveria do të mund të shkarkohej sikur opozita të jetë unike.
“Ne mundemi nesër ta rrëzojmë Qeverinë, në qoftë se bëhemi bashkë opozita, se kurrkush nuk i ka garantuar Hashim Thaçit që mund të mbetet, ose Qeveria e tanishme, kjo pozitë, deri në vjeshtën e 2013-s”, ka thënë Mustafa për “Koha Ditore”.
Sipas tij, aktualisht duhet përqendruar në procesin e reformës për zgjedhjet presidenciale dhe ato nacionale.
Mustafa ka thënë të mos ketë pretendime për të kandiduar për postin e presidentit, zgjedhja e të cilit, sipas tij, do të bëhej edhe në 2013-n nëse nuk pastrohen listat zgjedhore dhe nuk garantohet pjesëmarrje e mjaftueshme e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërsa, nuk e ka përjashtuar mundësinë që për zgjedhje nacionale të mund të hyjë si koalicion parazgjedhor me AAK-në, apo edhe me ndonjë parti tjetër.
Ajo për çka ka garantuar Mustafa është se kandidati i LDK-së do të bëhet kryeministër në rast se ky subjekt politik do të jetë në Qeveri.