Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës janë të vendosur që referendumin e paralajmëruar për mesin e muajit shkurt, ta organizojnë dhe mbajnë.
Milan Ivanovic, drejtues i Këshillit Kombëtar Serb, pranon se referendumin, përmes të cilit serbët e veriut do të deklaroheshin nëse i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës, e kanë kundërshtuar autoritetet e Kosovës, përfaqësuesit e vendeve perëndimore, por edhe Beogradi zyrtar. Sipas tij, “Beogradi zyrtar po përpiqet që t’i disiplinojë ata”.
“Zyrtarët e komunave, gjegjësisht të vetëqeverisjes lokale në veri, ende nuk i kanë marrë pagat. Mu në këtë moment, po nxirren disa teprica teknologjike në komuna nga ana e regjimit në Beograd, në mënyrë që mundësia e punësimit të reduktohet deri në atë masë, sa që punësimi të jetë i pamundur”, thotë Ivanovic për Radio Evropa e Lirë, cili thekson se “ditëve të fundit edhe furnizimi me energji elektrike, në veri të Kosovës ka qenë me reduktime”.
“Këto mund të jenë pasoja që po i vuajnë serbët e veriut për shkak të vendimit të tyre për referendumin”.
Mirëpo, ndryshe mendon Dragisa Krstovic, politikan serb nga Leposaviqi. Ai thotë se shteti serb nuk është i interesuar t’i përkeqësojë raportet me banorët serbë të veriut të Kosovës dhe t’i dënojë ata për shkak të referendumit.
“Diçka është duke ndodhur, por unë nuk mund ta ndërlidh këtë dhe ta vë në kontekst të asaj që kjo po ndodh për shkak të referendumit dhe se ky është ‘dënim’ për përfaqësuesit e padëgjueshëm serbë të veriut apo përgjithësisht për serbët e padëgjueshëm. Mendoj se këto janë më shumë pasoja të rrethanave objektive dhe nuk jam i prirë që të besoj se këto janë diçka me të cilat Beogradi po i disiplinon serbët e veriut të Kosovës”, shprehet Krstovic.
Ivanovic nuk beson se marrëdhëniet e serbëve të veriut dhe autoriteteve në Beograd do të vazhdojnë të jenë të tensionuara.
“Mendoj se ai vendim, në fund, do të ndikojë që të arrijmë një unifikim më të madh të serbëve se sa që ekziston në këtë çast”, thotë ai.
Megjithatë, Krstovic beson se porositë e Beogradit, përmes të cilave kundërshtohet mbajtja e referendumit, janë të sinqerta.
“Nëse porositë janë të sinqerta, atëherë me siguri se marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe përfaqësuesve të serbëve do të jenë më ndryshe sesa që kanë qenë deri më tash. Do të thotë, do të ketë më pak besim të ndërsjellë, më pak bashkëpunim, më pak aktivitete të përbashkëta dhe marrëveshje. Unë pres që kjo do të ndodhë. Por, kush e di... Në atë kohë do të nisë edhe fushata parazgjedhore dhe aty do të jenë edhe disa gjëra që nuk mund të parashikohen”.
Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë, ditë më parë kanë theksuar se mbajtja eventuale e referendumit dhe rezultati i tij nuk do të kenë efekt ligjor, por vetëm politik.