Thaçi e quan akt terrorist vrasjen në veri

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një fjalim që ka mbajtur në Universitetin Denver, në shtetin Colorado ka thënë se mbështetja dhe udhëheqja amerikane është e domosdoshme për të siguruar tolerancën, drejtësinë dhe demokracinë, ndërsa duke folur për ngjarjet e fundit në veri e ka quajtur akt terrorist vrasjen e Selver Haradinaj.

Duke folur para studentëve të këtij universiteti në SHBA, Thaçi deklaroi se dy ditë para nisjes për në Shtetet e Bashkuara ngjarjet në vendlindje ia përkujtuan brishtësinë e paqes.
“Dy ditë para nisjes për Shtetet e Bashkuara, ngjarjet në vendlindjen time ma përkujtuan brishtësinë e paqes, që po e lija pas. Në një demonstrim të inatit ballkanik, dy pjesëtarë të policisë së Kosovës u kidnapuan nga xhandarmeria e Serbisë, derisa bënin patrullimin e rregullt përgjatë vijës kufitare. Fotografitë e tyre, të shtrirë përtokë u shpërndanë anekënd rajonit derisa Qeveria serbe krekosej me aftësinë e policisë së saj. Policët tani janë liruar, ndërkohë që retorika e ndërsjellë kërcënuese sot jehon përgjatë opinionit publik të rajonit”, ka thënë Thaçi.
Ai po ashtu ka përmendur vrasjen e Selver Haradinajt në pjesën veriore, duke e cilësuar si një akt terrorist, pikërisht për shkak të mungesës së sundimit të ligjit në atë pjesë.
Thaçi më tej shprehet se ndër arsyet kryesore për vizitën e tij në SHBA është pikërisht përpjekja për të vazhduar kërkimin e gjetjes së zgjidhjeve për maratonën e problemeve, që e rrethojnë Kosovën.
“Megjithatë, Kosova vazhdon të ballafaqohet me shumë sfida: të ardhurat për kokë banori janë ende më të ulëtat në rajon, norma e papunësisë është relativisht e lartë dhe ka varësi të lartë nga importi. Mirëpo, Qeveria është e përkushtuar të ballafaqohet me këto sfida me seriozitetin më madh. Si kurdoherë më parë, përkrahja dhe udhëheqja e fuqishme amerikane është e domosdoshme për ta ndihmuar rajonin në tejkalimin e dallimeve të ndërsjella. Është e domosdoshme për t’i siguruar banorët dhe popujt e tij në përfitimet zhvillimore, që mundësohen nga arsyeja, toleranca, drejtësia dhe demokracia”, ka thënë Thaçi para studentëve.
Ai ka deklaruar se sikur në procesin e Rambujesë, 13 vjet më herët, ashtu edhe në takimet e Brukselit, udhëheqja shtetërore e Kosovës dëshmon gatishmërinë e vet që t’i pranojë vendimet sfiduese të së sotmes për hir të lehtësimit të jetës së nesërme.
“Mbi të gjitha, kosovarët e kanë kuptuar se anëtarësimi në familjet e mëdha demokratike nuk mund të bëhet përmes pengimit të zhvillimit të tjetrit. Personalisht jam thellësisht i bindur se i gjithë rajoni do të humb, nëse portën e hapur të Bashkimit Evropian përpiqet ta mbyllë pas vete, për të tjerët. Veprimet e tilla janë fundamentalisht kundër-produktive dhe kundër-evropiane”, u shpreh ndër të tjera Thaçi.
Pas Denverit, kryeministri i Kosovës do të vazhdojë vizitën e tij në New York, ku në selinë e organizatës botërore pritet të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban ki-Moon.