Qytetarët në veri kërkojnë mbrojtje nga Njësia Speciale

Afrim Ahmeti, përfaqësues i lagjes “7 Shtatori” në veri të Mitrovicës ka thënë se qytetarët shqiptarë në veri të vendit kërkojnë të mbrohen edhe nga Njësia Speciale e Kosovës, ndërsa po ashtu ka theksuar se KFOR-i duhet ta përmbushë misionin për çka ka ardhur në Kosovë, të krijojë siguri për të gjithë qytetarët.

Ai kërkoi nga Qeveria dhe Policia e Kosovës të jenë më aktive në veri të vendit, pasi sipas tij ata edhe pas 13 vitesh nga lufta po terrorizohen.
Sipas tij, popullata atje duhet të cilësohet si heroike, pasi nuk po mbrohet vetëm jeta e tyre, por edhe territori dhe shteti.
Ahmeti në një bisedë në RTK kërkoi nga institucionet e vendit që të mos japin vetëm deklarata por që të ndihmojnë realisht, sepse sipas tij, gjendja e rëndë. Ai kërkoi që popullata atje të mbrohen nga Njësia Speciale e Kosovës.
Sipas përfaqësuesit të lagjes “7 Shtatori”, përveç tjerash, në veri të vendit është edhe gjendje e rëndë ekonomike.
Ahmeti deklaroi se kanë pasur disa kontakte me KFOR-in ku kanë kërkuar të merren masa për të krijuar atje siguri, mirëpo sipas tij, përveç deklaratave kanë hasur në “vesh të shurdhër”, ndërkaq, sa i përket EULEX-it, tha se nuk shihet fare.