Udhëtim përkujtimor për “Titanikun”

Një anije turistike është nisur nga porti Southampton i Anglisë për të përshkuar rrugën e anijes “Titanik”, e cila u fundos 100 vite më parë.

Shumë nga udhëtarët e anijes “Balmoral” janë të afërt të atyre që humbën jetën kur Titaniku u përplas me një ajsberg gjatë natës dhe u fundos në Atlantikun e Veriut në errësirën e mëngjesit të datës 15 prill 1912.
Udhëtimi përkujtimor përfshin edhe një ndalesë në vendin ku u fundos Titaniku, ndërkaq udhëtarët dhe ekuipazhi do të marrin pjesë në një ceremoni përkujtimore.
Interieri i anijes “Balmoral” është rregulluar ashtu që t’i ngjajë sa më shumë atij të Titanikut. Po ashtu, disa nga udhëtarët janë veshur me rroba të modës nga viti 1912, ndërsa një grup muzikor luan pjesë nga ajo epokë.
Më shumë se 1.500 veta gjetën vdekjen në ujërat e akullta të Atlantikut nga fundosja e anijes para 100 vitesh.