Miliarderi që gjithë pasurinë e ka në një qese

Manjati Nicolas Berggruen nuk ka shtëpi e as makina të shtrenjta, por ka vetëm disa gjëra të vogla që gjithmonë i mban me vete në një qese të letrës. Nga njerëzit tjerë të pastrehë, ai dallon se në llogari ka 1.5 miliard funte.

51-vjeçari, i cili së fundmi ka investuar 881 milionë funte në zinxhirin e restoranteve “Burger King”, ka thënë se nuk i pëlqejnë gjësendet materiale.
Që para 12 vitesh kur shiti banesën luksoze në New York dhe një ishull privat, ai jeton si nomad.
Udhëton nëpër botë, shoqërohet me femra të bukura, qëndron në hotele luksoze, ndërsa nganjëherë brenda muajit ndërron 24 qytete. Krahas gjithë kësaj, ai ndërton një perandori mbresëlënëse të biznesit.
“Çfarëdo që të posedoj është e kufizuar, sepse të gjithë kemi një jetëgjatësi të caktuar. Veprimet tona janë ato që do të zgjasin përgjithmonë”, ka thënë ai.