AGPK dënon kërcënimet dhe fyerjet ndaj ekipit të RTK-së

Asoaciacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me shqetësim ka pranuar ankesën e gazetarit të RTK-së, Faton Salihu, me rastin e sjelljes arrogante, fyerjeve dhe kërcënimeve nga ana e drejtoreshës së kompanisë KPU Inspect, Lirije Karaxha-Pula, gjatë realizimit të një storie të transmetuar të hënën në RTK.

 Salihu ka njoftuar AGPK-në se Karaxha-Pula është sjellë shumë keq me ekipin e gazetarëve, kur nga ajo kanë kërkuar sqarime rreth rezultateve të një raporti të lëshuar nga kjo kompani, që ka bërë inspektimin e vajit për ngrohje. Nga analizat e fituara del se në vaj për ngrohje prania e sulfurit është 1.17 %, derisa në udhëzimin administrativ për cilësi të naftës, thuhet se vlera e lejuar është 1.0%. Përqindjen 0.17 e kanë konstatuar si matje jo e përcaktueshme.
KPU Inspect është e autorizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për të bërë inspektime në karburantet e lëngëta të naftës, të cilat duhet të jenë konform udhëzimit administrativ të fuqizuar nga Ministria...
Karaxha-Pula fillimisht kishte pranuar të intervistohej, por më pastaj e ka përzënë ekipin e gazetarëve nga zyra, ndërkohë që ma pas ka shkuar edhe në zyrat e RTK-së, duke kërcënuar dhe fyer recepcionisten dhe personat e sigurimit.
AGPK dënon sjelljet e tilla të znj. Karaxha-Pula, si dhe fyerjet dhe kërcënimet e saj. Duke sjellë ndërmend se publiku ka të drejtë të informohet për tema dhe probleme që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, AGPK bën thirrje për transparencë të zyrtarëve, kushdoqofshin ata, karshi publikut.
AGPK kërkon që gazetarët të lihen të lirë në punën e tyre dhe të mos pengohen. Po ashtu, AGPK iu bën thirrje gazetarëve që të hulumtojnë tema në interes të publikut, pavarësisht presioneve dhe pengesave në të cilat mund të hasin gjatë punës së tyre.