UNMIK-u, pas dy ditësh reagoi për shpërthimin në Mitrovicë

Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Farid Zarif, përmes një komunikate për media ka dënuar shpërthimin e së shtunës në veri të Mitrovicës, ku mbeti i vrarë Selver Haradinaj.

Dënimi u bë dy ditë pas shpërthimit dhe vrasjes së Haradinajt, ndërsa shefi i UNMIK-ut i shprehu ngushëllime familjes Haradinaj.
“Ky akt i dhunës duhet të dënohet nga të gjithë. Secili të bashkëpunoj me organet e rendit që fajtorët të dalin para drejtësisë sa më shpejt që është e mundur. Akte të tjera të dhunës nuk duhet dhe nuk do të lejohen të ndodhin. Akte të tilla e cenojnë paqen dhe stabilitetin. Kërkoj nga të gjitha palët ta ruajnë qetësinë dhe t’i lejojnë autoritetet ta kryejnë punën e tyre”, thuhet në një reagim të Zyrës së shefit të UNMIK-ut.