Ministria e Kthimit dallavere me tender

Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK) ka shpërblyer me tender kompaninë që ka ofruar çmim më të lartë se kompanitë e tjera që kanë qenë në garë, por pas ankesës së operatorëve ekonomikë, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka anuluar vendimin e ministrisë në lidhje me këtë tender.

Ministria për Komunitete dhe Kthim tenderin për “Shërbime Hoteliere për ndërtesën e MKK” ia kishte dhënë kompanisë “Buna” nga Prishtina, por pas ankesës së kompanisë “Global Parajsa”, OSHP-ja anulon këtë vendim.
Në vendim e OSHP-së thuhet se kompania “Buna” e cila ishte shpërblyer me tender ka ofruar çmimin e ofertës prej 22,30 euro, ndërkaq kompania “CPictures” kishte ofruar çmim prej 18.61 euro, kompania “Luzern” 17.75 euro, “Global Parajsa” 16.90 euro dhe kompania “Beni Dona”25.86 euro.
Në vendimin e OSHP-së thuhet se Komisioni Vlerësues ka konstatuar se 4 nga 5 kompanitë konkurruese kanë qenë të përgjegjshme në aspektin administrativ. Ndërkaq, gjatë procesit të mëtejmë janë eliminuar edhe dy operatorë të tjerë ekonomikë, pasi që kanë dështuar ta dorëzojnë dokumentacionin e plotë teknik, ku në fund komisioni i ministrisë ka vendosur që tenderi t’i jepet kompanisë “Buna” me vlerën më të ulët prej 22.30 eurosh.
OSHP-ja pas marrjes së ankesës ka caktuar si ekspert shqyrtues të kësaj lënde Qazim Hoxhën, i cili pas ekzaminimit të kujdesshëm të materialit ka konstatuar se udhëheqja e procesit të prokurimit ka disa lëshime, të cilat kanë pasur ndikim substancial në rrjedhën e këtij aktiviteti.
Sipas tij, lëshimi i parë ka të bëjë me periudhën e tenderimit, përkatësisht interpretimit jo të drejtë lidhur më kërkesën e TVSH-së. Ai po ashtu ka konstatuar se MKK-ja ka bërë lëshim themelor me rastin e dokumentacionit të tenderit. Sipas tij, komisioni i vlerësimit në përbërje të cilit ka qenë një zyrtar i prokurimit eliminon nga konkurrenca dy kompani për arsyen e njëjtë – mosplotësim i rubrikës për Siguri të Ekzekutimit të kërkuar në formularin e tenderit.
Pas shqyrtimit të gjithë lëndës në tërësi paneli shqyrtues ka konstatuar se Ministria për Komunitete dhe Kthim ka bërë shkelje në nenit 59 dhe 63 të Ligjit të Prokurimit Publik. “Paneli Shqyrtues pas ekzaminimit të gjitha provave një nga një dhe të ndërlidhura njëra me tjetrën përfundimisht ia fali besimin raportit të ekspertit shqyrtues të prokurimit përkitazi me këtë aktivitet të prokurimit”, thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.