Qeveria e Kosovës u ka thënë po bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së veriut. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën “Epoka e Re”, në kushte anonimiteti një nga ministrat e kabinetit Thaçi.
I njëjti ministër ka thënë se me kohë do të kuptohet edhe agjenda e këtyre bisedimeve. Gazeta ka mësuar se bazë e zgjidhjes së problemit të veriut do të jetë Pakoja e Ahtisaarit, e cila në këtë rast do të mbajë një emër tjetër.
“Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë, pajtueshmërinë që së bashku me përfaqësuesit ndërkombëtarë të gjendet një zgjidhje për veriun, për integrimin e komunitetit serb në atë pjesë”, ka thënë ky ministër.
Deri më tash drejtuesit e institucioneve vendore kanë qenë kundër nisjes së bisedimeve për veriun, por këtë qëndrim kanë filluar ta zbusin.