Gjykata Kushtetuese do të vendosë përfundimisht se kush është blerësi i ndërmarrjes NBI Suhareka. Çështja i shkoi Kushtetueses pasi punëtorët pretendojnë se janë vetë pronarët legjitimë, duke akuzuar blerësin aktual se e ka shkatërruar ndërmarrjen dhe nuk i ka përmbushur zotimet. Në AKP thonë se në prill pritet një vendim për këtë fabrikë.
Shitja e ish-ndërmarrjes NBI Suhareka, tashmë është edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ish-punëtorët e kësaj ndërmarrjeje, muaj më parë e kanë dërguar çështjen në këtë gjykatë, duke kërkuar që të përcaktohet blerësi i ndërmarrjes. Deri te kjo, ata erdhën pasi, sipas tyre, blerësi aktual e kishte shkatërruar ndërmarrjen, madje as nuk kishte përmbushur asnjë nga zotimet e bëra në kohën e privatizimit.
E prej kur është privatizuar ndërmarrja, tash me emrin e ri “Agro Kosova Holding”, aksionarët sipas ish-punëtorëve janë futur në disa marrëveshje, mes të cilave edhe për shkatërrimin e kësaj ndërmarrjeje.
Madje ka shtatë muaj që ish-punëtorët kanë ngritur një tendë përballë ndërmarrjes dhe kërkojnë kthimin e pronësisë. Ata po e akuzojnë AKM-në, tash AKP, si dhe kryetarin e Komunës, Blerim Kuçi, i cili sipas tyre qëndron prapa blerjes së kësaj ndërmarrjeje bashkë me disa investitorë italianë.
Malush Sopa, kryetar i Sindikatës së ish-ndërmarrjes NBI Suhareka, tregon se në fundi i vitit të kaluar kanë bërë padi për shitjen e kësaj ndërmarrjeje edhe në Gjykatën Kushtetuese. “Kemi kërkuar nga Kushtetuesja që ta përcaktojë blerësin, pasi blerësi aktual i ka shkelur të gjitha rregullat që kur e ka marrë në dorë ndërmarrjen”, thotë ai.