Edhe serbët "e duan" kosovaren Rita Ora

Këngëtarja kosovare Rita Ora, e cila për pak kohë të shkurtër bëri famë pothuajse në gjithë botën, e admiruar dhe e përkrahur nga shqiptarët, kohëve të fundit është përkrahur jashtëzakonisht shumë edhe nga portalet serbe.

Portale të ndryshme serbe vazhdojnë të shkruajnë pa ndalë për kosovaren. "Vajza londineze nga Kosova",nisin shkrimet për këngëtaren e cila kohëve të fundit është duke u krahasuar si Rihanna e ardhshme.
Portali serb "B-Turn", i cili i kushtohet kulturës ballkanike në përgjithësi, mes shumë artikujve për artistë të ndryshëm evropianë,është shkruar edhe për bukuroshen Rita Ora.
"Hot right now" ka pushtuar toplistat dhe Rita po zbardh fytyrën e Kosovës. "Rita, Kosova ka nevojë për ty dhe muzikën tënde", lexohej midis rreshtash në artikullin e fundit për Orën, duke shtuar në fund edhe pjesë nga intervistat e ndryshme të Ritës, ku ajo tregon se gjithçka që e bën, e bën "për familjen dhe shtetin tim, Kosovën".
Pas nuk ka mbetur as portali tjetër kulturor serb "Seecult". Portali në të cilin raportohet edhe nga ngjarjet kulturore kosovare dhe ku mund të gjesh artistë nga mbarë Evropa të profilizuar e intervistuar, ka sjellë po ashtu lajmin për Orën dhe pjesëmarrjen e saj në fushatën "VEVO lift UK" ku Rita Ora ka lançuar një video në "Youtube" me titullin "Becoming Rita Ora" (Të bëhesh Rita Ora).
"Seecult" i cili menaxhohet nga vetë Ministria serbe e Kulturës dhe përditësohet shumë shpesh me lajme të reja, tregon se në këtë video kosovarja paraqitet e thjeshtë, pozitive, gjithmonë duke treguar se ndihet e bekuar që vjen nga Kosova.
Lajmi tregon edhe për videoklipin e ri të Orës "R.I.P", ndërsa komplimentet vijnë edhe nga komentuesit serbë, disa prej tyre duke e quajtur Orën si Gwen Stefani e ardhshme, apo "vajza ndryshe, me stil urban".