Me panairi synojnë rritjen e punësimit

Me qëllim të zbutjes së papunësisë dhe krijimit të një koncepti të ri të kërkimit të punës, është hapur panairi i 9-të i Punës në Prishtinë, i cili është organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), në bashkëpunim me shoqatën e Teknologjisë Informative (STIKK). Ky panair u cilësua si një rast unik, për studentë që të njihen me punëdhënës në Kosovë dhe është një prej strategjive të preferuara të punëdhënësve për të punësuar të rinj.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, në hapje të këtij panairi, ka thënë se qëllimi i institucioneve mbetet punësimi sa më i madh i të rinjve kosovarë. “Ne me çdo veprim dhe organizim si ky i sotmi, po tregojnë se shumë projekte dhe bursa të punësimit dhe shumë veprime në të njëjtin drejtim, të cilat me siguri se do të krijojë një produkt. Puna e institucioneve, puna e të gjithë neve është që të krijojmë mundësitë”, ka pohuar Rashiq.
Punëmarrësit të cilët edhe njëherë, po tregojnë vullnetin e mirë që ta vazhdojnë ndërtimin e Kosovës, sipas tij, duhet që të kenë kujdes me punëkërkuesit tanë, pasi ata janë ardhmëria e vendit. Ai porositi po ashtu edhe punëkërkuesit që të mos dorëzohen nëse sot nuk mund të gjejnë punë, pasi ata do të kenë edhe raste të tjera.
Rashiq, po ashtu, bëri të ditur se gjatë vitit 2011, është shënuar një rritje e punësimit prej 4 për qind, duke pohuar se kjo nuk mjafton, porse ata po bëjnë përpjekje ta dyfishojnë këtë numër. “Në vitin 2011 kemi shënuar rritje të punësimit për 4 për qind. Unë e di që kjo nuk mjafton. E di që kjo duhet të dyfishohet, por po përsëris se nëse krijojmë mundësi, të cilat i kemi edhe sot, jam i sigurte se vit pas viti, do të krijojmë edhe më shumë vende të reja të punës, do të punësojmë më shumë të rinj dhe do të krijojmë një ardhmëri më stabile për ne”, ka thënë ai.
Ndërsa Erolld Belegu, president i bordit të Odes ekonomike Amerikane, ka theksuar se bizneset kosovare nuk dëshirojnë vetëm të punësojë, por ato kërkojnë kuadro kualitative. “Nuk ka biznes në Kosovë, i cili sot nuk ka nevojë për një kuadër të mirë. Këtë ta dini dhe të jeni të sigurtë në këtë. Çdo biznes kërkon kuadro dhe ju të cilët sot aplikoni, për punë duhet të shikoni mundësinë, se çfarë është ajo dhe të përgatiteni për sfida të caktuara. Bizneset në Kosovë nuk dëshirojnë vetëm të punësojnë, për t’i plotësuar numrat. Por bizneset në Kosovë kërkojnë kuadro kualitative”, ka thënë ai.
Edhe Majk Miks, përfaqësues i kompanisë “Bektel Enka”, e cila ishte pjesëmarrëse në Panairin e Punës ka thënë se kjo kompani nuk ka një numër të caktuar se sa dëshiron të punësojë. Ai ka thënë se po kërkojnë një numër të madh të njerëzve, të aftë për të punuar dhe të cilët i plotësojnë kushtet e kërkuara nga ta. “Ne kemi 2 mijë e 500 punëtorë të punësuar në kompaninë tonë dhe gjithmonë kërkojmë njerëz për t’iu bashkangjitur ekipit tonë me specifikat e duhura. Nuk dua të caktoj numra sot, por ne na duhen sa më shumë njerëz që aplikojnë, sepse vitin e ardhshëm do të jemi në qytet dhe jemi në gjendje të punësojmë më shumë njerëz”, ka thënë ai.
Ndryshe, në Panairin e Punës po marrin pjesë rreth 15 kompani dhe se janë 130 pozita të hapura të deklaruara në sektorë të ndryshëm si teknologji informative, sektorin bankar, atë të distribucionit dhe sektorë tjerë.
Panairi i Punës organizohet nga Oda Ekonomike Amerikane për nëntë vite me radhë.