Partitë politike nuk tregojnë prej nga financohen

Në tryezën me temë “Transparencë në financimin e partive politike”, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës/ Transparency International Kosova u tha se që nga pas lufta deri më tani, subjektet politike asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për të bërë publike raportet e tyre financiare, përfshire të ardhurat, kontributet, burimet e financimit, pasuritë, detyrimet, kapitalin dhe shpenzimet.

Kujtim Bytyqi, kryesues i hulumtimit në Programin “Transparenca dhe Antikorrupsioni”, theksoi se, as me hyrjen në fuqi të Ligjit për Financimin e Partive Politike në vitin 2010, nuk ka ndonjë lëvizje përpara, as ndryshime pozitive në këtë drejtim.
“Pra, të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike nuk raportohen saktë”, ka thënë Bytyqi. Ai ka përmendur edhe mos prezantimin e të hyrave dhe shpenzimeve nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike që ndahet nga Buxheti i Republikës së Kosovës, e që aktualisht është 0.34%.
Referuar kumtesës për media të KDI-së, Nijazi Kryeziu, nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se “diskursi real është se sa janë profilizuar partitë politike por edhe se sa janë transparente brenda vetë subjektit politik”.
Haziz Hodaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se “nuk ka një transparencë në subjektet politike dhe është një skandal çka po ndodhë me subjektet politike. Ai ka parashtruar nevojën që subjektet politike në nivel lokal të financohen nga kuvendet komunale sepse niveli i komunikimit në mes qendrës dhe degëve nuk është në nivelin e dëshiruar”.
Arbër Rexhaj, nga Lëvizja Vetëvendosje ka potencuar se fondi shtetëror që iu ndahet subjekteve politike që kap vlerën 5 milionë euro në vit është i mjaftueshëm për financimin e tyre, prandaj është e panevojshme dhënia e donacioneve nga private.
Bislim Zyrapi, nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka potencuar se në nivelin lokal janë transparent dhe i raportojnë qendrës, prandaj sipas tij, transparenca duhet të ekzistojë më tepër në nivelin qendror.
Në anën tjetër përfaqësuesi i AKR-së theksoi “...ne financohemi nga Kryetari ynë dhe mungon transparenca në nivel lokal sepse punohet fare pak dhe burimet financiare që vijnë nga qendra vinë vetëm në kohën e zgjedhjeve, vetëm për t’i marrë votat”.
Lulzim Kabashi nga LDD ka theksuar se “nuk ekziston interesi i subjekteve të mëdha politike që të jenë më transparente në financimin e tyre andaj edhe ka kërkuar që partitë e mëdha duhet të jenë model për transparencën e financimit të subjekteve politike”.