Deri në fund të pranverës pritet që Prishtina zyrtare ta marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave. Të paktën ky është optimizmi i Qeverisë së Kosovës. Por, opozita nuk është edhe aq optimiste në deklarimet e zyrtarëve të ekzekutivit, ndonëse shpresojnë se Bashkimi Evropian do ta përmbyllë këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar të hënën para anëtarëve të kabinetit qeveritar se Kosova po shënon progres të vazhdueshëm drejt integrimit evropian dhe, sipas tij, së shpejti pritet që BE-ja ta dorëzojë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe fillimin e negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizimi-asociimit.
“Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet e veta në afat rekord dhe do të punojmë për implementimin e shpejtë dhe të plotë të kritereve demokratike. Andaj, kam besim të plotë se edhe Brukseli nuk do të vonohet dhe Kosova do të trajtohet njësoj sikur të gjitha vendet tjera të rajonit”, ka thënë Thaçi, shkruan “Zëri”.
Sipas tij, agjenda evropiane e Kosovës paraqet pikën unike të politikës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
ndërkaq, numri dy i qeverisë kosovare, Hajredin Kuçi, ka shfaqur shpresën se Bashkimi Evropian do t’u përmbahet zotimeve se deri në fund të pranverës, Kosova ta marrë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave.
Por, përfaqësuesit e subjekteve politike nuk u besojnë deklaratave të qeveritarëve kosovarë, derisa shfaqin shpresën se BE-ja do të përmbyllë këtë proces sa më shpejt që të jetë e mundur.
Deputetja e partisë më të madhe opozitare, Vjosa Osmani, nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e zyrtarëve qeveritarë dhe, sipas saj, marrja e udhërrëfyesit varet edhe nga BE-ja. “Shpresoj në deklarimet e zyrtarëve të BE, sepse qytetarët e Kosovës duhet të dalin nga ky izolim, për çfarë shpresoj se ky proces të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur për hir të rinisë kosovare”, ka thënë ajo.
Osmani, ndërkaq, ka fajësuar ekzekutivin kosovar se për shkak të performancës së dobët që ka treguar janë shkaktuar vonesa në procesin për marrjen e udhërrëfyesit.
Ngjashëm është shprehur edhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila nuk ka dashur t’i komentojë deklarimet e zv. kryeministrit Kuçi se deri në fund të pranverës, Prishtina zyrtare do të marrë udhërrëfyesin. Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i kryejë “detyrat e shtëpisë” në mënyrë që Kosova ta marrë këtë dokument aq të rëndësishëm për integrime evropiane.
Njohës i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, nuk ka mundur të gjykojë se kur Prishtina zyrtare do ta marrë udhërrëfyesin, por, sipas tij, fokusi i autoriteteve kosovare duhet të jetë te përmbajtja e tij.