Qeveria e Kosovës edhe më herët ka pasur një strategji për veriun, por tani do ta rishikojë atë në mënyrë që të gjendet një opsion me i përshtatshëm për qytetarët e veriut të Kosovës. Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, duke komentuar kërkesën e përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, që Qeveria e Kosovës të përgatis një agjendë për veriun. Ai tha se është momenti i fundit që të merren hapa konkret në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar që t’i jepet fund gjendjes së rëndë në veri.
Strategjia e Qeverisë për veriun e Kosovës, duhet të rishikohet në atë mënyrë që të gjendet forma më e mirë për integrimin e qytetarëve të veriut, tha për Radio Kosovën, zëvendësministri i Punëve të Brendshme Izmi Zeka.
Ai i bëri këto komente, duke u përgjigjur në deklaratat që përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zhbogar i bëri një ditë më parë, ku kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të ketë një agjendë për veriun, përmes së cilës, serbët e veriut do ta pranonin realitetin e krijuar në Kosovë. Zëvendësministri Zeka tha se Qeveria ka pasur strategji, por ajo duhet të rishikohet.
“Qeveria e Kosovës edhe më herët e ka pasur një strategji për veriun, por duke pasur parasysh ndryshimet edhe në Kosovë edhe në rajon, ne do të shikojmë që atë strategji që e kemi pasur në një mënyrë ta rishikojmë dhe të gjejmë një mënyrë më të mirë dhe më të përshtatshme dhe që ju përshtatet interesave të qytetarëve të Kosovës, natyrisht edhe të pjesës veriore”, tha Zeka.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme dhe siguri, Ahmet Isufi, thotë se një strategji e tillë nuk është zbatuar asnjëherë, prandaj kërkohet një plan i realizueshëm për veriun.
“E dimë që ka pasur plan vetëm në letër, por nuk ka pasur plan veprues konkret që do ta ndryshonte gjendjen atje. Prandaj kërkesa është që të bëhet plani i cili realizohet në terren dhe ndryshon pozitën e qytetarëve atej dhe integron veriun si pjesë territoriale e Kosovës”, tha Isufi.
Isufi tha se duhet të ndërmerren masa të shpejta, në mënyrë që mos lejohet që çështja e veriut të Kosovës, të jetë temë në bisedime qoftë me Serbinë apo me këdo tjetër. Ndërsa zëvendësministri Zeka, tha se tani është momenti i fundit që në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zgjidhet problemi i veriut të Kosovës.
Ndryshe, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, një ditë më parë tha se Qeveria e Kosovës duhet të përgatis një agjendë për veriun, në mënyrë që serbët atje ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë. Ai tha se që nga tetori, kur është lëshuar Raporti i Progresit, Bashkimi Evropian është duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për të përgatitur një plan dhe agjendë për pjesën veriore.