Qeveria e Serbisë blen fabrikën e çelikut

Qeveria e Serbisë ka blerë fabrikën e çelikut në Smederevë nga kompania “U.S Steel”. Kjo e fundit ka blerë fabrikën në vitin 2003 me çmim prej 33 milionë dollarësh, ndërsa ka investuar edhe miliona të tjerë në të që nga ajo kohë.

Në vitin 2010, fabrika kishte 35 milionë dollarë shitje të jashtme. Por, rënia e ekonomisë globale në vitet e fundit thuhet ta ketë goditur edhe atë, duke e bërë që në vitin 2011 të raportojë 73 milionë dollarë humbje.
Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviq, i cili ka nënshkruar marrëveshjen e dorëzim-pranimit në Beograd, tha se qeveria shpreson ta rishesë fabrikën sa më shpejt që të jetë e mundur.
Serbia e ka blerë atë nga “U.S Steel” me çmimin simbolik prej 1 dollari, me qëllim ruajtjen e vendeve të punës për rreth 5.400 punëtorë.