Kthimi i regjistrave kadastral mund të nxjerrë probleme me pronat në Kosovë

Kosova e Serbia po ripërtërijnë përpjekjet për të zbatuar Marrëveshjen e Regjistrimeve Kadastrale të përfunduar shtatorin e kaluar në Bruksel, mes shqetësimeve në Prishtinë mosmarrëveshje në vazhdim do të zbulohen mes njerëzve që morën tokë në mënyrë të paligjshme.
Marrëveshja përcakton se regjistrimet e pronës të mara nga autoritetet e Beogradit në Serbi më 1999 do të kopjohen nga EULEX, do të verifikohen e do t'u dorëzohen autoriteteve të Kosovës. “Kthimi i kopjeve do të tregojë se cila tokë e komunës është bërë private dhe do të na mundësojë të kuptojmë se kush dhe kur e transformoi atë në tokë publike”, tha kryetari i Prishtinës Isa Mustafa për Koha Ditore.
Ai shprehu shqetësim rreth rrezikut të mosmarrëveshjeve mes individëve, pavarësisht nëse abuzimet e dyshuara u bënë përpara apo pasi Kosova u bë e pavarur.
Kryenegociatorja e Kosovës Edita Tahiri, megjithatë, tha se zbatimi do të mbushë boshllëkun ekzistues në bazën e të dhënave kadastrale të Kosovës dhe do të ndihmojë që të zgjidhen mosmarrëveshje sesa të shkaktojë probleme. "Ajo ndihmon saktësisht Prishtinën e komuna të tjera që të vijnë më pranë së vërtetës se cila pronë është publike e cila private, në mënyrë që individët të mund të trajtojnë pronat e kundërshtuara," tha Tahiri.
Zyra e negociatorit serb Borko Stefanoviç tha për SETimes se zbatimi ndihmon Beogradin të marrë pjesë e të ketë një zë për herë të parë që nga 1999-ta në rastet e gjykatës së Kosovës lidhur me pronën. "Kjo marrëveshje mundëson Serbinë të ketë një rol aktiv në procesin e zgjidhjes së rasteve të diskutueshme të të drejtave të pronës e të ndihmojë shtetasit tanë që të kenë një shans më të madh të kthimit të pronës së tyre," tha ai.
Zyrtarët e Kosovës që trajtojnë çështjet e pronës janë gjithashtu të shqetësuar rreth mosmarrëveshjeve të mundshme në mungesë të dokumenteve origjinale, tha për SETimes topografi i Komunës së Prishtinës Agim Matova.
Disa shtetas shkojnë në Serbi e paguajnë shuma të mëdha parash për të marrë dokumentet origjinale, por nuk janë kurrë të sigurt nëse kanë marrë një dokument të rremë, tha ai.
Por kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës Murat Meha tha se një problem tjetër përfshin parcelat private të shitura jozyrtarisht ose të regjistruara vetëm në formë të shkruar.
Kthimi i regjistrimeve kadastrale do t'u lejojë shtetasit t'u përgjigjen pretendimeve që nuk ishin në gjendje t'u përgjigjeshin për shkak të mungesës së dokumenteve origjinale, tha ai.
Ankthi më i madh, megjithatë, ka të bëjë me ndërtimin në Prishtinë që mund të mos mbështetet nga dokumentacioni, shtoi ai. Rastet kur regjistrimet e caktuara në Serbi nuk përputhen me ato në Kosovë do t'i transferohen një mekanizmi gjykimi në Kosovë, që do të bëjë një përcaktim përfundimtar se cili regjistrim është korrekt.
Një komision i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë e kosovarë mbi pronat do të shërbejë si shkalla e parë në mekanizmin gjykues. Gjykata e Lartë e Kosovës do të shërbejë si shkalla e dytë.