Ka kaluar më shumë se një vit që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë. Ndërsa, në 191 ankesa për manipulime zgjedhore, që i janë dërguar Prokurorisë së Shtetit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, mësohet se janë akuzuar 502 persona. Prej të gjithë këtyre rasteve, thuhet se janë mbyllur nëntë raste.
Thirrjet ndërkombëtare për të adresuar të gjitha rastet që kanë të bëjnë me parregullsitë gjatë zgjedhjeve të fundit në vend, u ritheksuan sërish javën e kaluar në Raportin e fundit për Kosovën të Parlamentit Evropian.
Eurodeputetja Ulrike Lunacek shfaqi shpresën që rezoluta në fjalë do të nxisë dinamikën e punës në zgjidhjen e rasteve që kanë të bëjnë me manipulimet në zgjedhje.
“Jo vetëm se duhet të qartësohen parregullsitë gjatë votimeve e që keqpërdoruesit të vihen para drejtësisë, por ne gjithashtu u kërkojmë politikanëve që reformat e premtuara zgjedhore dhe kushtetuese të përfundojë me kohë”, tha Lunacek në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë.
Ajo bëri të ditur se rezoluta e cila u miratua në komitetin për marrëdhënie të jashtme të legjislativit evropian, do të jetë e plotfuqishme pas miratimit në seancën e radhës plenare të këtij mekanizmi që pritet të mbahet në muajin mars.
Po në këtë muaj apo në fillim të prillit, Kuvendit të Kosovës mund t’i paraqiten amendamentet e bëra nga Komisioni për ndryshime në Ligjin mbi zgjedhjet. Në këtë komision, që nga themelimi në muajin maj të vitit të kaluar, thuhet se rëndësi e veçantë i është kushtuar çështjeve kryesore për të cilat mendohet se janë burime të keqpërdorimeve.
Mirëpo, njohësit e procedurave zgjedhore në Prishtinë akuzojnë partitë politike për mungesë të vullnetit politik për të këmbëngulur në zgjidhjen e rasteve që kanë të bëjnë me manipulimet në zgjedhjet e 12 dhjetorit të 2010-tës.