Ish-ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar, i cili nga e mërkura merr postin e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, pret që edhe Kosova të ndjekë rrugën e BE-së, ashtu si dhe vendet tjera të rajonit.
“Së shpejti nisin negociatat e BE-së me Kosovën në lidhje me marrëveshjen e tregtisë dhe këta janë hapa që e bëjnë Kosovën të lëvizë drejt bllokut evropian”, ka thënë Zbogar, transmeton Rel.
“Edhe këtë vit janë në dispozicion rreth 70 milionë euro për projekte të ndryshme që ndihmojnë në ngritjen dhe forcimin e institucioneve të Kosovës. Pra, Brukseli do të vazhdojë angazhimin që edhe Prishtina të zbatojë legjislacionin evropian”.
Zbogar do të jetë edhe shef i Zyrës së BE-së në Prishtinë, që është nën autoritetin e përfaqësueses për politikë të jashtme të bllokut evropian, Catherine Ashton.