Seanca kryesore e shqyrtimit gjyqësor në rastin “Kleçka”, është shtyrë për të hënën.
Në seancën e sotme dominoi çështja e kërkesës së mbrojtjes, drejtuar kryeprokurorit të EULEX-it, për pezullim nga çështja të prokurorit Maurizio Salustro, dhe për ta ftuar atë në cilësinë e dëshmitarit.
Prokurori nuk pranoi që të thirret edhe në cilësinë e dëshmitarit, duke thënë se ai gëzon imunitet pasi që është avokat në misionin ndërkombëtar në Kosovë, EULEX.
Karim Khan, avokat mbrojtës i Fatmir Limajt, pas seancës ka thënë se prokurori, një ditë më parë, deklaroi se nuk është prokuror ndërkombëtar, por është prokuror vendor.
“Ai e quajti veten si një prokuror lokal, ndërsa sot kur sugjeroi për të shkuar te kryeprokurori, ai tha se ka imunitet”, ka thënë avokati Khan.
Avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë se imunitet gëzojnë njerëzit ndaj veprimeve që i bëjnë në punë e tyre, por jo edhe ndaj akuzave që ka ngritur dëshmitari “X” ndaj prokurorit, për trusnitë që ai ka bërë ndaj tij gjatë marrjes në pyetje.
Sipas Rrecajt, prokurori duhet të thirret si dëshmitar në gjykatë, raporton Kosovapress.
Mbrojtja edhe sot e kërkoi një vendim të trupit gjykues lidhur me thirrjen apo jo të prokurorit në cilësinë e dëshmitarit. Trupi gjykues vendosi që të mos e japë një vendim të tillë në seancën e sotme.
Prokurori, duke e parë se mbrojtja po kërkon që të pezullohen seancat derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale ta marrë një vendim lidhur me pezullimin apo jo të tij, kërkoi nga trupi gjykues që të shtyhet seanca kryesore e shqyrtimit gjyqësor, deri në vendimin e kryeprokurorit të EULEX-it.
Sipas mbrojtjes, vendimi i trupit gjykues për pezullimin e seancave deri në një vendim të kryeprokurorit të EULEX-it, dëshmon se do të fitoj drejtësia dhe ligji.
Trupi gjykues i ka thënë mbrojtjes se deri në premten ka afat t’i paraqes të gjitha kërkesat e saj.
Seanca e radhës pritet të vazhdojë të hënën prej orës 10:00.