Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi në 15 vjetorin e rënies së dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, bëri homazhe te lapidari i tyre, duke thënë se rënia e tyre i ka dhënë jetë dhe liri Kosovës.
Krasniqi me këtë rast theksoi se dëshmorët e vendit dhanë gjithçka për Kosovën e lirë dhe të pavarur.
“Sot është 15-vjetori i tre heronjve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishim këtu për të nderuar jetën dhe veprën e tyre. Jemi të vetëdijshëm se rënia e tyre i ka dhënë jetë dhe liri Kosovës, i ka dhënë pavarësi dhe i ka hapur perspektiva. Besoj se ka qenë edhe vullneti i tyre dhe është dëshira jonë, që për t’u zhvilluar jeta në Kosovë, të mos ketë më kurrë nevojë që djem dhe vajza të Kosovës të japin jetën. Lavdia qoftë mbi të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën e lirë e të pavarur”, u shpreh kryeparlamentari.