Kuvendi i Kosovës me vota 83 për, 13 kundër dhe një abstenim votoi të martën Rezolutën për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Rezoluta është kundërshtuar nga lëvizja Vetëvendosje, pasi sipas tyre me këtë rezolutë qeveria po tenton t’i fshehë kompromiset e dhimbshme për Kosovën dhe me këtë shtohen kushtëzime tjera.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi para deputetëve të Kosovës tha se “sot të bashkuar, ashtu siç kemi qenë në momente të rëndësishme po i hapet derë përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.”
Kjo tha Thaçi, nuk është meritë vetëm e një partie apo mandati por është meritë e të gjithëve.
Sipas kreu të qeverisë ky është zotimi për Kosovën evropiane dhe u shpreh se Qeveria do t’i zbatojë të gjitha detyrimet që dalin nga kjo rezolutë.
Ismet Beqiri nga Grupi parlamentar i LDK-së tha se mbështesin këtë draft-rezolutë dhe e vlerëson moment të rëndësishëm fillimin e këtij procesi, që nuk do të jetë i lehtë.
Edhe Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se AAK e mbështet fillimin e procesit të përfundimit të pavarësisë së Kosovës.
Mirëpo, ndryshe nga këto parti lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër kësaj rezolute, pasi sipas tyre me këtë rezolutë qeveria po tenton t’i fshehë kompromiset e dhimbshme për Kosovën dhe me këtë shtohen kushtëzime tjera.
Visar Ymeri, nga VV tha se janë për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, mirëpo sipas tij kjo rezolutë nuk është e tillë dhe nuk e saktëson se cilat janë obligimet. Kjo sipas tij është rrezik dhe formë jo demokratike, pasi duhet të zotohen deputetët se do të votojnë për ligjet të cilat nuk e dinë se çfarë do të jenë.
Ndryshe, Ymeri paraqiti Rezolutën e Vetëvendosjes, ku ndër të tjera thuhet se të gjitha vendimet e nxjerra dhe masat e ndërmarra nga institucionet e vendit duhet të respektojnë sovranitetin e plotë shtetëror dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Mirëpo, kjo Rezolutë e VV-së, nuk është vënë në rend dite.
Projekt rezolutën e plotë të iniciuar nga Grupi parlamentar i PDK-së dhe të miratuar nga Kuvendi i Kosovës po e japim të plotë:
1. Duke njohur përparimin që Kosova ka bërë në vitet që nga Shpallja e Pavarësisë dhe përparimin që do të vazhdojë ta bëjë;
2. Duke mirëpritur vendimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për të filluar përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur gjatë vitit 2012;
3. Krenarë në besimin se Kosova është e gatshme të pranojë vendin e vet të drejtë në mesin e vendeve të pavarura të botës;
4. Të përkushtuar ndaj përmbushjes së të gjitha obligimeve që kontribuojnë në përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur, duke përfshirë e parimet kyçe të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit në Kushtetutë dhe në legjislacionin e Republikës së Kosovës;
5. Të vetëdijshëm se Kosova gjithmonë ka arritur përparimin më të madh drejt synimeve kombëtare kur populli, forcat politike dhe udhëheqësit janë bashkuar;
6. Zotohet solemnisht për përkrahjen dhe përkushtimin e vet të plotë arritjes së shpejtë, të tërësishme dhe të suksesshme të këtij synimi kombëtar, posaçërisht kalimit me kohë të të gjitha amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit tjetër të nevojshëm për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur;
7. Fton Qeverinë e Republikës së Kosovës, në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil, me prioritet të përgatitë dhe miratojë legjislacionin i cili është i nevojshëm për të për kompletuar zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës, si dhe të përgatisë të gjitha amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë dhe t’ia paraqesë këto Kuvendit jo më vonë së katër javë nga data e kësaj rezolute.
8. Në mbështetje të nenit 71 të Rregullores së Kuvendit, autorizon Komisionin e tashëm ad hoc për Reformën Kushtetuese që të përgatisë amendamentet kushtetuese për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese si dhe të përgatisë amendamentet kushtetuese dhe amendamentet legjislative për miratim përfundimtar nga Kuvendi i Kosovës