Pettifer: Kosova në rrezik

Analisti për çështjet politike të Ballkanit dhe profesor në Universitetin e Oksfordit, James Pettifer, duke analizuar situatën dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, në një intervistë në Top Channel, lëshon alarmin se në Kosovë situata mund të përkeqësohet. Ai ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e zbehin vëmendjen ndaj Kosovës dhe po ia kalojnë përgjegjësinë Bashkimit Evropian.

“Jam i përshirë me çështjet e Kosovës këto 25 vitet e fundit në mënyra të ndryshme. Më duhet të them se situata e tanishme është shqetësuese. Kosova ka bërë disa hapa prapa. Situata në Veri është e paqëndrueshme dhe për mendimin tim po përkeqësohet. Çdo këndvështrim realist mund të mbërrijë në përfundimin se atje gjerat janë duke u përkeqësuar”, shprehet Pettifer.
“Beogradi nuk do të pranojë realitetin e sotëm pasi duan ta trajtojnë veriun e Kosovës sikur të ishte një pjesë e Bosnjës, që sikurse edhe ambasadori britanik e ka thënë, nuk është e tillë pasi situata ligjore është krejt e ndryshme. Fatkeqësisht qeveria e Kosovës ka bërë disa gabime serioze duke bërë lëshime që nuk duhet të kishin ndodhur. Siç mund ta dini unë kam qenë një mik i zotit Thaçi për shumë vite dhe kemi publikuar edhe një libër. Jemi përballë një problemi siç është ai i Fusnotës që ishte një gabim i madh strategjik për Kosovën”, tha analisti amerikan.