Një italian e ka paraqitur në gjykatë të dashurin e gruas së tij nga i cili kërkon 600.000 euro për “dëme morale” të shkaktuara nga tradhtia.
Italiani i dëmtuar, i cili është oficer ushtarak, kërkon 200.000 euro për vete dhe 400.000 të tjera për dy fëmijët e tij, vajzën 14-vjeçare dhe djalin 10-vjeçar. Ky rast ka filluar gjatë javës që e lamë pas në qytetin Spoleto në regjionin Umbria.
Sipas pohimeve të “të dëmtuarit” (emri i të cilit nuk dihet), afera e gruas së tij 39-vjeçare tek ai ka shkaktuar zhvillimin e “sjelljes obsesive, të cilën e ka nxitur shkatërrimi i jetës familjare dhe shmangia e obligimeve të saja martesore”.
Po ashtu, afera te ai ka shkaktuar edhe depresion, ndërsa këtë e ka dokumentuar edhe me diagnoza mjekësore.
Nga ana tjetër, i dashuri i gruas ka thënë se është vetëm mik me të dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në aferën e supozuar.