Në Kosovë, vetëm zgjedhje parlamentare serbe?

Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë kundër zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, përderisa zgjedhjet lokale janë punë ekskluzive e Prishtinës. Shpallja e zgjedhjeve lokale, në të njëjtën kohë me ato parlamentare, mund të bëjnë që asnjëra nga to të mos mbahen në Kosovë, raportojnë mediat e Beogradit.

Ditorja serbe "Blic", duke u thirrur në burimet e saja ndërkombëtare, raporton se vendimi i ardhshëm i autoriteteve të Beogradit do të jetë mos mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, se përndryshe “do të vihet në pikëpyetje tërë procesi për Kosovën”.
Shtetet e Kuintit synojnë që gjatë zgjedhjeve të ardhshme asnjë palë të mos mbetet humbëse: as Beogradi e as Prishtina. Sipas skenarit të tyre, zgjedhjet parlamentare mund të mbahen nën mbikëqyrjen e OSBE-së.
“Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara nuk përkrahin kurrfarë zgjedhjesh në Kosovë nën organizimin e Beogradit, por nuk do të lejojnë që Qeveria e Kosovës të jetë represive nëse ndodhë të mbahen zgjedhjet parlamentare”, thotë bashkëbiseduesi i ditores “Blic”.
Zgjedhjet e shpallura nga qeveria në Beograd do të ndalohen nga Prishtina zyrtare, përderisa edhe Kuvendi i Kosovës ka miratuar një Rezolutë kundër tyre.
Autoritetet e Beogradit kanë shpallur zgjedhjet edhe për Kosovë, e këtë të drejtë Brukseli nuk ia ka mohuar. Por, problem mbetet mbajtja e tyre. Nëse Beogradi këmbëngul që të mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, materiali zgjedhor mund të konfiskohet në pikat kufitare. Problemi i shkaktuar mund të përshkruhet me një shembull: kur anëtarët e Policisë së Kosovës do ta konfiskojnë materialin, nuk do të pyesin zyrtarët e Qeverisë së Serbisë nëse janë ato për zgjedhjet lokale apo parlamentare. Pra, materialet thjeshtë do të merren.
Ndaj, është pikërisht ky skenar i cili sipas ditores serbe po luhet nga Prishtina, e cila me kundërshtimin e zgjedhjeve lokale e sheh shansin që në rajonet e banuara me shumicë serbe të ndaloj edhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë.
Që prej tërheqjes së ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova më 1999, Beogradi vazhdimisht i ka mbajtur zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare, përderisa ato lokalet vetëm në vitin 2008.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se banorëve të Kosovës që kanë edhe nënshtetësi serbe, do t’ju lejohet votimi në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato për president për Serbisë, por nën mbikëqyrjen e OSBE-së.