Kodi penal i rishikuar i Kosovës parashikon dënim më të ashpër për terrorizmin, korrupsionin dhe krimet financiare, në një përpjekje për të reformuar sistemin gjyqësor në përputhje me standardet evropiane.
"Përkufizimet në kodin e ri lidhur me terrorizmin janë ndihmë e madhe për zbatimin e ligjit, sepse ato përjashtojnë çdo paqartësi dhe interpretim sipas dëshirës", ka thënë për SETimes kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi. "Me këto dispozita, mbulohen dhe parashikohen plotësisht të gjitha mënyrat e mundshme të kryerjes së veprave të tilla, duke filluar nga veprimet e autorit, bashkëpunuesit, lehtësuesit dhe nxitësit të aktit të terrorizmit".
Legjislacioni u miratua nga qeveria tetorin e kaluar, por nuk është bërë publik deri në shkurt. Ai jep rishtazi përkufizimin çfarë përbën një grup terrorist dhe kërkon që çdokush i dënuar për një akt terrorizmi të vuajë të paktën pesë vjet në burg.
Kodi i ri përcakton se kur një vepër penale rezulton me lëndim të rënd trupor të një ose më shumë personave, autori do të dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burg. Kur vepra penale rezulton me vdekjen e një ose më shumë personave, autori dënohet me së paku 15 vjet në burg.
Ata që ndihmojnë aktet e terrorizmit do të dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, dhe kushdo që ndihmon autorin duke siguruar fonde ose burime të tjera do të marrë dënime nga tre deri në dhjetë vjet burg.
Kodi i ri parashikon burgim nga pesë deri 15 vjet për të gjithë ata që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi ofrojnë, kërkojnë, mbledhin ose fshehin fonde apo mjete materiale për një grup terrorist ose për kryerjen e një akti terrorist.
"Nenet për terrorizmin në kodin e ri penal janë të rëndësishme sepse Kosova është përfshirë ligjërisht në ndjekjen penale të terrorizmit si një kërcënim global. Është gjithashtu e rëndësishme që, edhe pse jemi larg integrimit në BE, ky është një standard që shtyn drejt rrugës së integrimit në BE", thotë avokati Azem Vllasi.
"Terrorizmi është duke u bërë një kërcënim për të gjithë globin dhe ka potencial të ndikojë edhe Kosovën," tha Ardian Arifaj, hulumtues me eksperiencë dhe koordinator për Institutin KIPRED të Kosovës. "Për fat të keq, persona me origjinë nga Kosova kanë qenë të akuzuar dhe dënuar për përfshirje në akte terroriste. Kosova duhet të jetë gati për t'u përballur me këtë sfidë".