Dega e AKR-së, në Dragash, ka kërkuar nga organet komunale dhe ato më të larta të vendit që të pengojnë veprimin e lirshëm të strukturave paralele. Këtij reagimi, siç thuhet, i ka paraprirë sorollatja e disa individëve të njohur goranë, të cilët që nga mbarimi i luftës jetojnë e punojnë në Beograd.
“Veprimi i lirshëm i Komunës paralele në Vraniq të Gorës, e cila këto ditë shpesh vizitohet nga individë të caktuar, të cilët pas përfundimit të luftës, bashkë me soldateskën serbe, kanë shkuar në Serbi, ku ende jetojnë dhe mbajnë lidhje të drejtpërdrejta ndërmjet Beogradit e Gorës, duke i mbajtur “gjallë” strukturat paralele edhe në këtë trevë, ku nuk jeton asnjë serb, është dëshmi qartë se Serbia insiston t’i organizojë zgjedhjet parlamentare e lokale edhe në trevën e Gorës”, thuhet në reagim, transmeton Koha.net.
Në vazhdim, nënvizohet se përmes këtyre individëve, zgjedhjet e fundit serbe janë mbajtur edhe në këtë komunë, në të cilat kanë votuar një pjesë e konsiderueshme e këtij komuniteti, dhe se pikërisht në fshatin Vraniq të Gorës, është themeluar e ashtuquajtura, Komunë paralele, në të cilën, kryhen shumë shërbime të qytetarëve në nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme, marrja e pagave nga Serbia, sigurimi pensional e shëndetësor, bursa e shtesa për fëmijë e disa shërbime të tjera.