Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se janë të sulmuar si parti, për shkak të frikës që kanë ndaj kësaj partie. Në 22-vjetorin e themelimit të LDK-së në Malishevë, Mustafa nuk ka lënë pa folur për organizatorët e pritjes të së shtunës në Podujevë me fishkëllima. Ai nuk ka akuzuar direkt Fatmir Sejdiun për një gjë të tillë, por ka thënë se një grup prej 10-20 vetash nuk mund ta ndalojë LDK-në si parti që të ecë përpara. Ndërsa me ironi ka thënë se herëve të tjera organizatorëve të këqij, siç i ka quajtur ai, do t’iu sigurojë vetë vuvuzelat.
Mustafa ka shtuar se reformat në këtë parti nuk po i pëlqejnë dikujt, por ua ka bërë me dije atyre që janë kundër se nuk mund të qëndrojnë në pozicionin e njëjtë me vite të tëra dhe ta mbyllin derën e aderimit për të rinjtë kosovarë në LDK, rapoeron Koha.net.
Mustafa ka mohuar të ketë presion ndërkombëtarë në rast të një zgjidhje eventuale për veriun e vendit, duke shtuar se është kundër çfarëdo marrëveshje për veriun e vendit, e cila është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Thaçi dhe partisë së tij që të jenë konsekuentë dhe të marrin vendime në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Mustafa është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale të paralajmëruara nga Serbia për veriun e vendit, duke thënë se askujt nuk i lejohet të shkelë integritetin territorial të Kosovës.