BE fonde Kosovës si “Republic of Serbia”

Kosovës asgjë nuk po i ndihmon në krijimin e marrëdhënieve bilaterale me Bashkimin Evropian, as marrëveshjet me Serbinë të arritura në Bruksel, as deklarimet e shpeshta të zyrtarëve evropianë e vendorë se “Kosova ka perspektivë evropiane”.
Në fakt, zyrtarët serbë rregullisht deklarohen se rruga e vetme për Kosovën drejt BE-së kalon përmes Serbisë, dhe duket sikur ata kanë të drejtë të paktën sa u përket fondeve evropiane, shkruan “Zëri”.
Në dokumentet zyrtare, përfshirë edhe ato që janë publike dhe gjenden në faqet e internetit të Komisionit Evropian, pranë fjalës “Pristina” shkruhen inicialet “RS” (Republic of Serbia) dhe më pas titulli i projektit për të cilin Brukseli ofron përkrahje financiare.
Përfaqësuesit e BE-së në Kosovë dhe Bruksel nuk kanë qenë në gjendje që gjatë së hënës të qartësojnë çka nënkuptojnë këto iniciale. Sidoqoftë, ato është shumë lehtë të deshifrohen marrë parasysh inicialet që shkruhen në dokumentet për projekte që i financohen Serbisë, pasi siç mund të shihni edhe në foton e publikuar në “Zëri” … inicialet “RS” përdoren krahas Beogradit dhe të njëjtat edhe krahas Prishtinë. 

Pep: E pamundur që ta arrijmë Realin

Pep Guardiola nuk beson që Barcelona mund ta fitojë titullin e Spanjës këtë edicion dhe ka thënë se është e pamundur që skuadra e tij ta arrijë Real Madridin.
Pas lëshimit të pikëve nga Los Blancos, tani Barca është në minus tetë, dhe derisa shumëkush mendon se Blaugranët kanë gjasa për titull, Guardiola tashmë është dorëzuar.
“Është vështirë që t’i paramendosh ata duke humbur më shumë ndeshje. Nuk mendoj se do ta fitojmë kampionatin. Matematikisht është e mundur, por unë nuk mendoj se do t’ia arrijmë”.
“Nëse do ta mbaja nga një konferencë për shtyp çdo muaj, do ta ndryshoja mendimin. Por jo tani. E thash atë që kam thënë para tri ditësh. Është e pamundur. Asgjë nuk ka ndryshuar”, ka thënë trajneri katalunas.

Fitore minimale e Romës

Skuadra e Romës ka regjistruar fitore prej 1-0 përballë Genoas në takimin e të hënës mbrëma në Stadio Olimpico.
Giallorossët shënuan që në fillim të ndeshjes dhe arritën që ta ruajnë avantazhin deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit.
Heroi i takimit ishte Pablo Osvaldo, i cili shënoi golin me vlerë tre pikë pas asistimit të Leandro Grecos (3’).
Pas kësaj fitoreje, Roma gjendet në vendin e gjashtë dhe ka 44 pikë, katër më pakë se pozita e tretë që mbahet nga Lazio. 

Messi dhe Mourinho më të paguarit

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, është futbollisti më i paguar në botë, ndërsa ndiqet nga David Beckham dhe Cristiano Ronaldo- raporton France Football.
Sipas hulumtimit të kësaj reviste, argjentinasi përfiton rreth 33 milionë euro në vit. Paga e tij vjetore te Barcelona është 10.5 milionë euro, bonuset i sjellin 1.5 milion, ndërsa 21 milionë te tjera i fiton nga reklamat dhe marrëveshjet tjera.
Mesfushori i LA Galaxy, David Beckham, vazhdon të fitoja para të majme. Ai përfiton rreth 31.5 milionë euro në vit, ndërsa më shumë se 80 për qind të kësaj shumë e fiton nga reklamat.
Portugezi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është i treti në listë, me 29.2 milionë euro përfitime në vit, nga të cilat 13 milionë i merr nga paga vjetore, ndërsa shumën tjetër nga bonuset dhe reklamat.
Sa u përket trajnerëve, kryeson Jose Mourinho me 14.8 milionë euro, ndërsa pasohet nga trajneri i PSG-së, Carlo Ancelotti, i cili përfiton 13.5 milionë euro në vit.

Dacic hedh poshtë kërkesën e BE-së dhe SHBA-ve

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic, tha të hënën se vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar që Serbia të mos e shpallë mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, po për të, siç ka thënë se ky opsion ishte i papranueshëm.
Duke folur para gazetarëve në Beograd, Dacic tha se me shpalljen e zgjedhjeve në gjithë territorin e saj, Serbia nuk e rrezikon askënd, dhe se kjo është bërë në harmoni me Kushtetutën dhe me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raporton REL.
“Meqë kryeparlamentarja Slavica Djukic – Dejanovic është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë, as ajo nuk ka mundur të veproj ndryshe, pos t’i shpallë zgjedhjet”, tha Dacic, i cili është lider i PS-së së Serbisë.

AGPK dënon kërcënimet e Mujës

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) me shqetësim ka pranuar një ankesë nga e “Drejtësia në Kosovë”, në lidhje me kërcënimet që i janë bërë ekipit të këtij emisioni.
Të dielën mbrëma, “Drejtësia në Kosovë” e ka transmetuar emisionin “Komuna e Prizrenit shpaguan financuesit e fushatës”, i cili emision ka trajtuar një letër kërcënuese që i është dërguar Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, e cila letër është bërë shkas i zbulimit të lidhjeve të fshehta që kanë biznesmenët me politikën.
“Kryetari Muja është kontaktuar për disa javë rresht dhe nga ai është kërkuar një prononcim. Në pamundësi të takimit me të, gazetari ia ka dalë që ta takojë atë në një restorant, ku edhe i ka kërkuar prononcim rreth dyshimeve të ngritura ndaj tij”, thuhet në deklaratën e AGPK-së.
“Në atë rast, Muja ka kërcënuar gazetarin duke kërkuar nga ai që të largohej nga aty, ose në të kundërtën do t’ia thyente kamerën”.
“Ky veprim dëshmon edhe njëherë mungesën e transparencës së institucioneve publike dhe pengesat që u bëhen gazetarëve hulumtues gjatë ushtrimit të profesionit të tyre”.
AGPK kërkon nga Partia Demokratike e Kosovës që të distancohet nga ky veprim, kërkon nga autoritete përgjegjëse që të trajtojnë kërcënimin e ushtruar ndaj ekipit të “Drejtësia në Kosovë”, si dhe kërkon nga kryetari Muja që të kërkojë falje publike për kërcënimin e bërë.

Ngecje në përmbarimin e lëndëve

Krahas shtimit të lëndëve të reja, sistemi i drejtësisë në Kosovë po ballafaqohet me numër të madh të lëndëve të vjetra, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura në sirtarët e institucioneve përkatëse. Kësaj problematike i shtohen edhe lëndët e përmbarimit - pra, ato për të cilat është marrë vendimi, por që nuk mund të zbatohet në praktikë.
Nga të dhënat të cilat dalin nga Gjykata Supreme e Kosovës, aktualisht numri i këtyre lëndëve të përmbaruara arrin deri në 100 mijë.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fajzulla Hasani, tha për Radion Evropa e Lirë se një ndër shkaqet më të mëdha që kanë ndikuar në ketë drejtim, është numri i vogël i punëtorëve në gjykata.
“Një arsye ka qenë mungesa e punëtorëve përmbarues. Janë edhe arsye të tjera, për faktin se te ne janë rrethana të tilla ekonomike, që shpeshherë gjykata ndodhet në situata që e ka të pamundur ta përmbarojë një lëndë për faktin se del në teren, shkon në vend, por nuk ka çfarë t’i marrë (atij qytetari- borxhliu). Do të thotë, nuk ka mundësi ta përmbarojë. Të gjitha këto paraqesin probleme për realizimin e lëndëve përmbarimore”, theksoi Hasani.
Hasani bëri të ditur se numri më i madh i lëndëve të përmbarimit kanë të bëjnë me Korporatën Energjetike të Kosovës, PTK-në dhe kompani të tjera publike.
Sipas Hasanit, për të gjithë klientët borxhlinj të ndërmarrjeve të lartpërmendura, të cilët nuk i paguajnë shërbimet e ofruara të këtyre kompanive, pasojat për ekzekutimin e lëndëve po i bartin gjykatat.
Për shkak të kësaj gjendjeje në sistemin e drejtësisë, ku numri i lëndëve të papërfunduara vazhdon të jetë shumë i madh, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në vitin 2010 kishte marr një vendim për hartimin e një strategjie për reduktimin e lëndëve të vjetra.
Pavarësisht dinamikës së grumbullimit të lëndëve të pambaruara, kjo strategji sipas KGJK-së, është duke u zbatuar.
Enver Peci, nga ky këshill, shpjegoi se në kohen kur është hartuar strategjia, ishte menduar se punët do të kryen më shpejt, por siç thotë ai, më vonë problem ka paraqitur identifikimi i lëndëve.
Pavarësisht emërimit dhe riemërimit të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, numri i lëndëve të pazgjidhura vazhdon të jetë i lartë në përgjithësi në gjykatat e Kosovës.

Bukoshi: Tre përqindëshi kapitull i mbyllur

Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, nuk ka pranuar të komentojë akuzat nga themeluesi i LPK-së, Ibrahim Kelmendi, për keqpërdorimin e Fondit të tre përqindëshit, duke thënë se kjo çështje është kapitull i mbyllur.
I kontaktuar nga Kohavisioni, Bukoshi, tash zëvendëskryeministër në mandatin e dytë të Qeverisë Thaçi, ka thënë se nuk dëshiron të merret me çështjet që kanë të bëjnë me këtë fond, duke e quajtur kapitull të mbyllur.
“Kam punë më të mençura sesa kjo”, ka deklaruar zëvendëskryeministri Bukoshi përmes telefonit.
Për çështjen, ka folur edhe kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ky i fundit është shprehur as nuk ka asnjë kërkesë nga ndonjë grup parlamentar që të diskutohet në Kuvend për Fondin e tre përqindëshit apo për Fondin “Vendlindja thërret”.
“Nëse ka kërkesa të tilla në vijë procedurale sigurisht që mund të debatohet në kuvend. Por, deri tash nuk mund të vendosim diçka në rend dite që njerëzit për një apo tjetër arsye ngritin çështje nëpër mediat e shkruara apo elektronike”, ka theksuar Krasniqi. 

Edhe katër ditë afat për Azem Sylën

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla ka vetëm edhe katër ditë afat që të bëj ankesë në Gjykatën Federale të Zvicrës, ndaj vendimit për dëbimin e tij nga Zvicra.
E premtja (23 mars) është dita e fundit kur Azem Syla mund ta deponojë ankesë në të kundërtën, vendimi i Gjykatës Administrative i datës 12 shkurt 2012 për dëbimin e tij nga Zvicra në maj bëhet i plotfuqishëm.
"Syla paralajmëroi ankesë para dy javësh, por deri më tani ende zyrtarisht nuk është dorëzuar edhe pse informatat në Gjykatën Federale janë marrë nga avokati i tij Christian Affentranger", shkruan Gazeta Aargauer Zeitung, transmeton Indeksonline.
Deputeti i PDK-së, Azem Syla po përballet me një padi nga Enti i Sigurimeve Sociale për mashtrim në përfitimin e paligjshëm të fondeve dhe, përveç se rrezikon të kthej një pjesë të mjeteve, atij mund t’i merret leje qëndrimi në Zvicër.

Kosova si mjet për shpërblime evropiane

Edhe pse mbetet e paqartë se a do ta jetësojë Serbia planin për mbajtjen e zgjedhjeve të saja lokale edhe në territorin e Kosovë, disa nga njohësit e zhvillimeve politike thonë se zhvillimet rreth kësaj çështjeje dëshmojnë ndërlidhjen e politikën serbe karshi Kosovës, me atë karshi Bashkimit Evropian. Ata thonë se me moton “Sulmo, tërhiqu dhe fito”, shteti serb e ka shndërruar në mjet manipulimi situatën në Kosovë për të përfituar më pas në avancimin drejt integrimit evropian.
Duke rikujtuar barrikadat rrugore në veri të Mitrovicës, të cilat u patën larguar pak para marrjes së vendimit për statusin e kandidatit të Serbisë për anëtarësim në BE, analisti, Shenoll Muharremi, tha se Serbia po vazhdon me gjenerimin e problemeve të paqena më parë dhe se po përdor “taktika të pozicioneve maksimaliste”. E krejt kjo, sipas tij, ka për qëllim përfitimet evropiane, raporton REL.
“Serbia po manipulon BE-në, e cila kur është fjala te Serbia, po tregohet naive dhe nuk po jep shenja që ka mësuar nga gabimet e saja në Ballkan. Serbia nuk ka ndryshuar në esence qasjen e saj karshi Republikës se Kosovës; ajo nuk po i zbaton marrëveshjet dhe po vazhdon më tej të sabotojë zhvillimin e fqinjit të saj Republikës së Kosovës me çdo kapacitet. Kjo nuk është një qasje evropiane, dhe le të provojë, për shembull Franca të bëjë një gjë të tillë në Gjermani dhe do të shihni se çka do të ndodh”,tha ai, duke theksuar nevojën për një presion të shtuar politik të Brukselit zyrtar mbi Serbinë-presion ky që për qëllim do të duhej të kishte stabilizimin e situatës në rajon.
Por, analistët serbë thonë se në qasjen dhe veprimet e Serbisë në raport me Kosovën luan rol të rëndësishëm kushtetuta e shtetit, e cila e cilëson Kosovën si pjesë të shtetit serb.
“Kjo është një çështje shumë e komplikuar. Kjo është edhe çështje e skenës së brendshme politike në Serbi, pra, sa edhe deri kur mund të bëjë dikush ndonjë gjë duke respektuar preambulën e Kushtetutës, e cila është obligative. Në anën tjetër, shtrohet edhe pyetja sa i kontrollon Serbia disa përfaqësues politik në veri të Kosovës. Personalisht mendoj se referendumi në veri nuk ka gëzuar përkrahjen e Beogradit i cili ka dashur ta shmangë atë për të mos hyrë në konfrontim me BE-në”, vlerësoi Aleksandar Popov nga Qendra Rajonale në Beograd.
Konfrontimit me BE-në i është shmangur deri më tani edhe Prishtina zyrtare, e cila thuhet se ka bërë lëshime të dhimbshme në kuadër të dialogut për hir të perspektivës evropiane të vendit.
Analisti Muharremi e quajti të gabuar edhe qasjen e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
“Është naive nga lidershipi të perceptohet që, nëse e bën një kompromis me Serbinë në Bruksel, ti do të shpërblehesh. Kjo nuk qëndron kështu. Procesi i integrimeve është proces meritor dhe, pavarësisht që janë hapur perspektivat, ato duhet të fitohen dhe meritohen”, theksoi ai.

Shkarkim apo ndërprerje bisedimesh?

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka shprehur sërish pakënaqësitë e tij me punën e delegacionit të Prishtinës në bisedimet me Beogradin.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta shqyrtojë zëvendësimin e këtij delegacioni, pasi që ekipi dialogues i udhëhequr nga kryenegociatorja Edita Tahiri, sipas tij, nuk ka arritur të përfaqësojë si duhet Kosovën në dialog.
Kryeparlamentari Krasniqi, tha se nuk është për ndërprerjen e dialogut, por për rivlerësimin dhe rishikimin e performacës dhe rezultateve të Kosovës në këtë dialog.
“Ndërprerja e bisedimeve nuk është zgjidhje. Zgjidhja duhet të kërkohet në bisedime. Unë nuk po insistoj, por në këto bisedime delegacioni nuk ka poseduar njohuri të mjaftueshme, dhe ata që e kanë formuar këtë delegacion duhet të mendojnë në rikompozimin e tij”, tha Krasniqi.
Pas deklaratave të Krasniqit, partitë opozitare në prononcimet e tyre për Radion Evropa e Lirë, thonë se nuk është problemi vetëm te kryenegociatorja Edita Tahiri dhe ekipi i saj, por problemi është shumë më thellë.
Opozita madje kërkon ndërprerjen e këtij procesi.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se LDK ka tërhequr vërejtjen që nga fillimi se Kosova ka hyrë në këtë proces e papërgatitur, pa agjendë dhe pa një qëllim të caktuar.
“Si proces i tillë nuk konsiderojmë se është i dobishëm që të vazhdojë. Sigurisht që edhe vet zonja Tahiri ka përgjegjësi, dhe në vend që të ofrojë informata, ne deputetët, Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës, nuk duhet të shkojmë nëpër sportele e të shohim mos na ka dërguar ndonjë letër Edita, me informata se çfarë po ndodhë, por atë ajo vet duhet të dalë para opinionit për të shpjeguar”, u shpreh Beqiri.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se përgjegjësia për disa nga marrëveshjet më të rëndësishme, siç ishte ajo për fusnotën, i takon vet kryeministri Hashim Thaçi. Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se zgjidhja, nuk duhet kërkuar vetëm në zëvendësimin e këtij ekipi.
Ai thotë se Kosova ka nevojë për një Qeveri kalimtare, e cila do të zbuste dhe riparonte sado pak dëmet që vendit po ia shkakton Qeveria e tashme.
“Ne duhet ta shqyrtojmë mundësinë e ndërprerjes së këtij procesi të dëmshëm për Kosovën. Jam i bindur që dorëheqja e Qeverisë dhe një qeverisje kalimtare deri në zgjedhjet e ardhshme do të mundësonte normalizimin e situatës në Kosovë dhe ndaljen e këtyre dëmeve që po i shkaktohen Kosovës. Pra, nuk mund ta kërkojmë kokën e Edita Tahirit, në kuptimin politik, për shkak se vendimet po merren nga zoti Thaçi”, tha Ramadani.
Zëvendësimi eventual i anëtarëve të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Beogradin, duket se nuk do ta joshte shumë opozitën.
LDK-ja, sipas Ismet Beqirit, në asnjë formë, nuk do të ishte pjesë edhe e një ekipi të ri nëse krijohet. Aq më tepër, rikompozimi i delegacionit, sipas tij, mund të kërkohet edhe për shkak të një procesi negociues për veriun, ku LDK mendon se nuk do të përfshihet.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani thotë se AAK nuk sheh interes që t’i bashkohet ndonjë ekipi tjetër eventual, duke preferuar më shumë kontributin opozitar përmes Parlamentit.
Sidoqoftë, bisedimet Kosovë - Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, deri më tash kanë prodhuar shtatë marrëveshje të prezantuara vetëm në formën e konkluzioneve.
Mirëpo, ndërmjetësuesi, në këtë rast BE-ja, ende nuk ka bërë edhe një vlerësim të zbatimit të tyre nga ana e palëve në bisedime.

Kushtetuesja hedh poshtë kërkesën e Vetëvendosjes

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka hedhur poshtë kërkesën e grupit të deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, për kontestimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës në seancën e 20 janarit, kur Kuvendi kishte zhvlerësuar vendimin që kishte marrë më herët për aplikimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë
Në kumtesën e lëshuar thuhet se në seancën e mbajtur më 19 mars Gjykata Kushtetuese u këshillua dhe votoi për Rastin KO 05/12, „Kontestimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, të 20 janarit 2012“.
“Në këtë rast, deputeti Visar Ymeri dhe 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, parashtruan kërkesën përmes së cilës kontestuan kushtetutshmërinë e Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-279, i cili ndër të tjera, “mirëpriti marrëveshjet” e arritura në dialogun ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dhe përmes së cilit Kuvendi “e mbështeste zbatimin e tyre të Tërësishëm”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Më tej në njoftimin e Kushtetueses thuhet se “në kërkesën e tyre, parashtruesit pohojnë se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë dy shtete me subjektivitet juridik në të drejtën ndërkombëtare; ata konsiderojnë që vendimi i marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës ishte “ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare” që kërkonte procedurën e parashikuar me nenin 18 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, njëzëri vendosi që ta hedhë poshtë kërkesën si të papranueshme. Gjykata vlerësoi se natyra e kërkesës së parashtruesve ishte jashtë caqeve të juridiksionit të gjykatës sipas nenit 113.5 të Kushtetutës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në njoftim. 

Nikolic: Kërcënimet e Prishtinës nuk do t’i ndalojnë zgjedhjet

I ashtuquajturi kryeshef për Qarkun e Anamoravës, Dragan Nikolic, ka deklaruar sot se “kërcënimet që vijnë nga Prishtina se do të përdoret forca për të parandaluar zgjedhjet serbe në Kosovë, nuk do të ndalojë mbajtjen e tyre”.
"Për serbët që jetojnë në atë territor, e që janë shtetas të Republikës së Serbisë, zgjedhjet janë një nga të drejtat themelore të njeriut”, ka thënë Nikolic, transmeton Beta.
Sipas tij, përfaqësuesit e autoriteteve lokale në Qarkun e Anamoravës ende nuk kanë marrë udhëzime të veçanta nga Beogradi në lidhje me organizimin e zgjedhjeve.
"Komisionet komunale zgjedhore në Anamoravë tashmë kanë filluar me grumbullimin e dokumenteve për kandidatët për këshilltarë dhe lëshuarjen e certifikatave për të drejtën zgjedhore për personat që kandidojnë për deputetë", tha Nikolic.

Sipas tij, “në 13 vitet e fundit autoritetet e Prishtinës përdorin çdo shkas të mundshëm për të demonstruar forcën mbi serbët që jetojnë në Kosovë, për t’i trembur dhe dëbuar ata."
Ai shtoi se gjatë zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, të mbajtura në vitin 2008, nuk ka pasur probleme në vendvotime, as gjatë aktiviteteve parazgjedhore.

Ruçi: Pavarësia e Kosovës ka prodhuar stabilitet

Kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi gjatë një takimi me anëtarin e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Republikës Popullore të Kinës, njëherësh sekretari i Parë i Partisë për Pekinin, Liu Çi dhe delegacionin që e shoqëronte ka folur edhe për çështjen e Kosovës.
Ai gjatë këtij takimi theksoi se pavarësia e Kosovës ka prodhuar stabilitet në rajon.
“Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për Kosovën është një vendim që sjell stabilitet në rajonin e Ballkanit. Një opinion, i cili do t’i shërbejë më tej sigurisë dhe qëndrueshmërisë së rajonit”, është shprehur Ruçi.

Birra Peja edhe në Zvicër

Birra Peja nga e hëna mund të gjendet në të gjitha dyqanet “Coop”-it në Zvicër, njëri ndër zinxhirët konsumues më të rëndësishëm në këtë vend.
Për fillim, Birra Peja do të gjendet në 460 filiale të “Coop”-it, nga gjithsej 1400 që ka ajo në tërë Zvicrën.
Për vendosjen e këtij produkti në një varg shitoresh prestigjioze zvicerane, Rexhep Berisha, importues i saj, ndihet krenar, pasi kjo natyrisht që është me interes ekonomik, por edhe simbolik, ngase edhe ai vetë është me prejardhje nga Peja.
Importimi i birrës së Pejës shënon një hap serioz dhe konkret drejt kontributit të aktorëve ekonomikë të diasporës për zhvillimin e Kosovës, transmeton AlbInfo.
Në fakt, rritja e eksportimit të produkteve kosovare në Zvicër dhe Perëndim ndikon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të punës në Kosovë.

UPS-i amerikan bleu TNT-në holandeze

Kompania kryesore në botë për shpërndarjen e shpejtë të dërgesave, UPS, ka blerë kompaninë holandeze të së njëjtës degë, TNT, për 5.16 miliardë euro.
"Me këtë transaksion do të krijohet një lider global në tregun e logjistikës, me të ardhura vjetore prej mbi 45 milionë euro”, thanë kompanitë në një deklaratë të përbashkët.
Kjo është blerja më e madhe e shërbimit UPS, në 105 vitet e ekzistencës së saj.
TNT më 18 shkurt e ka refuzuar ofertën e UPS-it prej 4.9 miliardë eurove, por kompanitë kishin deklaruar se do t’i vazhdojnë bisedimet. 

Ronaldo të garojë për president të CBF

Legjenda braziliane, Ronaldo, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të filluar një karrierë ‘politike’ në futboll.
Ai mund të garojë për postin e presidentit të Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF) pas Kampionatit Botëror të vitit 2014.
“Dua të filloj një karrierë politike në futboll. Nuk e di nëse do të jem kandidat për president të CBF, por do ta pranoja”.
“Shoh një hapësirë të madhe për përmirësim në futboll. Mendoj se edhe pse kam kontribuuar shumë kur kam luajtur futboll, mund të jem edhe më i dobishëm jashtë fushë”, ka thënë Ronaldo për Folha de Sao Paulo.

Conte: Ndaj Milanit, ndeshja e sezonit

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka theksuar rëndësinë e ndeshjes kthyese gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Milanit.
Zonja e Vjetër ka rezultat pozitiv (2-1) nga ndeshja e parë e zhvilluar në San Siro, ndërsa Conte është i përqendruar maksimalisht për të arritur në finale.
“Kjo është një ndeshje që ta jep mundësinë të fitosh një trofe. Nesër (e martë) do ta luajmë ndeshjen më të rëndësishme të sezonit”.
“Për neve, që jemi në periudhën e rindërtimit, do të jetë e rëndësishme që të fitojmë një trofe”, u ka thënë trajneri gazetarëve.
Conte ka deklaruar se sulmuesi veteran, Alessandro Del Piero, do të startojë në sulm, ndërsa Marco Storari do të jetë në portë.
“Del Piero do të luajë po ashtu, ai i jep shumë skuadrës. Pres shumë nga Del Piero dhe nga Juve”, ka shtuar 42-vjeçari. 

Ibrahimovic: Do ta eliminojmë Juven

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, mezi pret ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër Juventusit.
Skuadra nga San Siro u mposht me rezultat 2-1 në shtëpi në ndeshjen e parë të zhvilluar në shkurt, por Ibra beson se Rossonerët do ta përmbysin rezultatin në ndeshjen e të martës në Juventus Stadium.
“Ne do të shkojmë në Torino për t’u kualifikuar në finale. Ne e dimë se do të jetë vështirë, por është e mundshme dhe ne duam të kalojmë më tej”, citohet të ketë thënë Ibrahimovic për Aftonbladet. 

Bayerni interesohet për Adrianon

Bayern Munich raportohet se është duke e përcjellë mbrojtësin e Barcelonës, Adriano.
Braziliani është përcjellë nga drejtuesit e klubit bavarez në javët e fundit, derisa ata kërkojnë një mbrojtës të ri, shkruan El Mundo Deportivo.
Adriano ka pasur më shumë hapësirë për aksion që nga Vitit i Ri, por me Marc Muniesa që po ashtu është i gatshëm për të dalë në fushë, Barca mund të jetë e gatshme ta shesë lojtarin gjatë verës. 

Maldini trajner te PSG?

Legjenda e Milanit, Paolo Maldini, pritet të bëjë hapat e parë në karrierën e trajnerit, edhe atë në krah të Carlo Ancelottit te Paris Saint Germain.
Tuttomercatoweb shkruan se bisedat tashmë kanë filluar për të çuar Maldinin në Paris gjatë verës.
Roli i Maldinit do të jetë si trajner i repartit mbrojtës, ku ai do të punojë me mbrojtësit e PSG të cilët nuk po shfaqin formë të mirë në ballë të portierit Salvatore Sirigu këtë sezon.
PSG shpreson ta caktojë Maldinin në detyrë para fundit të këtij sezoni. 

Pellegrini: Titulli është i Realit

Trajneri i Malagas, Manuel Pellegrini, ende e sheh Real Madridin si favorit të pastër për ta fituar titullin e La Ligës, pavarësisht se ndaloi djelmoshat e Jose Murinhos me barazim 1-1 në ndeshjen e të dielës.
Një gol i vonshëm nga Santi Cazorla ndihmoi Malagan të sigurojë një pikë në Santiago Bernabeu, për ta bërë më interesante garën për kreun e tabelës, me Barcelonën që tash ndjek Realin me tetë pikë.
“Do të ishte vërtet e çuditshme nëse Madrid nuk do të shpallej kampion i La Ligës. Megjithatë, shumë gjëra mund të ndodhin në futboll”.
“Barazimi ishte rezultat i drejtë. Ne nuk merituam të ishim në disavantazh në pauzën mes pjesëve. Ne ruajtëm mprehtësinë dhe më pas goli i Santit na dha një pikë. Ishte një ndeshje, sipas mendimit tim, me një rezultat të merituar”, ka thënë Pellegrini. 

Posselt lobon për Kosovën tek pesëshja e BE-së

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, u prit në Munih të Gjermanisë nga eurodeputeti Bernd Posselt. Në takim u bisedua për zhvillimet politike në Kosovë, me theks të veçantë për proceset nëpër të cilat shteti i Kosovës do të kaloj në të ardhmen.
Duke e falënderuar Posseltin për përkrahjen e vazhdueshme të tij për Kosovën si eurodeputet dhe për përkrahjen e mërgimtarëve tanë që jetojnë në Gjermani, Makolli tha se shteti i Kosovës ka nevojë për miq, të cilët me kohë janë radhitur në krah të së drejtës së popullit të Kosovës për Liri e Pavarësi.
Gjatë takimit, Makolli e njoftoi nikoqirin edhe me objektivat që ka Ministria që ai drejton, duke potencuar se, vetëm në shtetet gjermano folëse jetojnë rreth 80 për qind e të gjithë mërgimtarëve nga Kosova.
Ai e njoftoi eurodeputetin Posselt edhe me politikat e Qeverisë së Kosovës në për përkujdesje të diasporës që njëherësh nxisin edhe integrimin e tyre si dhe për pozitën e pjesëtarëve të diasporës kosovare në Gjermani.
Me këtë rast, eurodeputeti gjerman Bernd Posselt, premtoi angazhimin e tij edhe në të ardhmen për përkrahje të mërgimtarëve nga Kosova që jetojnë në Gjermani, njofton Zëri.
Ai po ashtu e njoftoi ministrin Makolli me takimet e tij të vazhdueshme me zyrtarë dhe eurodeputetë nga 5 vende të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kërkuar nga ta që të ndikojnë në qeveritë e vendeve të tyre që ta bëjnë një gjë të tillë.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli në takim me eurodeputetin gjerman Posselt ishte i shoqëruar nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Stuttgard.
Ndërkaq, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, Makolli mori pjesë edhe në punimet e Forumit Pan Evropian, të mbajtur më 17 dhe 18 mars 2012 në Munih. Ky forum u organizua nga Unioni Panevropian Gjerman. 

Bajrami: Mbikëqyrja përfundon në qershor

Kryetari i Komisionit për ndryshimet kushtetuese, Arsim Bajrami, thotë se qershori i këtij viti është menduar që të jetë muaji kur edhe në mënyrë ceremoniale do të shënohet fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Bajramit ka thënë se prania civile ndërkombëtare në Kosovë, gjatë këtij viti do të transformohet nga një mision qeverisës ekzekutiv, në një mekanizëm monitorues dhe lehtësues për institucionet e vendit.
“Është me rëndësi që në këtë vit qeverisja e Kosovës do të jetë përgjegjësi absolute e vendorëve, do të thotë vendosja e rendit, rregullit do të jetë përgjegjësi e vendorëve. Pra është jashtëzakonisht mirë që po hiqet tutoria ndaj shtetit, po hiqet tutela e kujdestarisë”, thotë Arsim Bajrami, transmeton RTK.
Bajrami është i bindur se deri në fund të vitit, komisioni dhe parlamenti do të jenë në gjendje që të finalizojnë këto ndryshime kushtetuese. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të komprometohet me një vazhdim të pakufishëm të pranisë në Kosovë.
“Kjo është jashtëzakonisht mirë edhe për prezencën ndërkombëtare që mos të komprometohet me një vazhdim të pakufishëm në Kosovë, por është jashtëzakonisht mirë për vendorët, për institucionet vendore që ato të tregojnë kapacitetin që të qeverisin vet dhe të marrin përgjegjësi për Kosovën”, thotë Bajrami.
Në verën e këtij viti, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën do të mblidhet në një takim për të vlerësuar të arriturat e institucioneve të Kosovës. Në këtë linjë, Bajrami thotë se qershori i këtij viti është menduar që të jetë muaji kur edhe në mënyrë ceremoniale do të shënohet fundi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. 

Shtyhet gjykimi në rastin ”Kleçka”

Procesi gjyqësor në rastin ”Kleçka” është shtyrë për të mërkurën, bëri të ditur avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj. Ai tha se nuk ka ndonjë arsyetim të veçantë për shtyrje, por mendon se trupi gjykues ka pasur më shumë nevojë për analizimin e argumenteve që i ka paraqitur mbrojtja.
Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, sot është dashur të vazhdojë procesi gjyqësor për rastin ”Kleçka”, i cili po zhvillohet ndaj deputetit Fatmir Limaj dhe 9 bashkëluftëtarëve të tij, por gjykimi është shtyrë për të mërkurën.
Avokati mbrojtës, Tahir Rrecaj, i ka thënë Radio Kosovës se pala mbrojtëse nuk ka marrë ndonjë arsyeje të veçantë për shtyrjen e seancës, përveç njoftimit se seanca do të vazhdojë me datë 21 mars.
Megjithatë, Rrecaj, si arsye për shtyrje të seancës e sheh kohën e pamjaftueshme të trupit gjykues për analizën e argumenteve që i ka parashtruar pala mbrojtëse.
“Trupit Gjykues i nevojitet një kohë e mjaftueshme për t`i analizuar të gjitha argumentet që i ka paraqitur mbrojtja. Pastaj, për t’u analizuar përgjigja e mbrojtjes dhe përgjigja e prokurorit në përgjigjen e mbrojtjes. Unë besoj se kjo duhet të jetë arsyeja e vetme, nëse nuk ka ndonjë arsye tjetër”, tha Rrecaj, citon RTK.
Sot është dashur që gjykata të marrë një vendim rreth pranimit ose jo të dëshmive të Agim Zogajt, i njohur si dëshmitari X. 

Hasani: Fusnota mund të ketë pasoja

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, njëherësh kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në nismat rajonale, mund të ketë pasoja.
Në një intervistë për RTK-në, Hasani ka thënë se politika është dashur të shikojë se çfarë pasojash mund të ketë fusnota sa i përket statusit të Kosovës.
“Në qoftë se pajtohemi se në Kosovë çdo problem duhet të zgjidhet me mjete politike, mendoj se nuk duhet të çuditemi për asgjë”, ka theksuar Hasani.

LDK: Po manipulohet me Forumin rinor në Podujevë

Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës përmes një kumtese për media ka thënë të hënën se duke parë që po manipulohet me çështjen e Degës së Forumit rinor të LDK-së në Podujevë, njofton se personat e paraqitur nga mediet si drejtues të kësaj dege nuk janë ata që e përfaqësojnë Forumin Rinor të Podujevës.
Në kumtesë thuhet se Kuvendi zgjedhor i Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë është mbajtur më 26 tetor 2011, ku kanë marrë pjesë 88 delegatë nga 101 sa i ka Kuvendi i FR të kësaj dege. Më tej thuhet se në këtë kuvend është zgjedhur kryetari i FR të LDK-së, Fidan Rekaliu dhe Kryesia e FR të LDK-së.
“Çdo tentativë që tjetërkush të paraqitet në emër të Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë është e pabazuar, qoftë nga individët, qoftë nga mediat”, bëhet e ditur në komunikatë.
Po ashtu thuhet se Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke respektuar vullnetin e të rinjve të Podujevës, si dhe të degës së LDK-së në Podujevë, mbështet Rekaliun në punën e tij dhe fton të gjithë aktivistët e Forumit që ta ndihmojnë forcimin e mëtejmë të LDK-së në Podujevë.

Ekonomia joformale po dërmon ekonominë formale

Ekonomia joligjore ka zënë hapësirë të madhe në tregun kosovar dhe vështirë se mund të zvogëlohet niveli i saj, thonë përfaqësues të bizneseve dhe njohës të çështjeve ekonomike. Prezenca e ekonomisë së paligjshme, sipas tyre, po pengon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe ardhjen e investitorëve ndërkombëtarë.
Ali Jakupi, eksperti i ekonomisë, thekson se ndikimi i këtij fenomeni në tregun kosovar është shumë negativ, kur merret parasysh se ekonomia e vendit është e brishtë dhe e pa konsoliduar. “Gjenerator i kësaj ekonomie është veriu i Kosovës. Madje, edhe në pjesë tjera të Kosovës ka ekonomi jolegale. Por, duhet kuptohet, se derisa të përmendet në çdo kohë, në çdo hap, korrupsioni dhe format tjera të keqpërdorimit, këto janë elemente qe ushqejnë dhe e përbëjnë ekonominë joligjore. Dhe në një mënyrë, ekonomia joligjore është bërë si ndonjë vërshim që është duke dërrmuar ekonominë që e kemi sot”, thotë Jakupi.
Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, theksojnë se përqindja e lartë e ekonomisë së paligjshme po dëmton ekonominë e ligjshme dhe konkurrencën në tregun kosovar.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) Agim Shahini, pohon se në bazë të një hulumtimi që kjo agjenci ka bërë vite më parë, rezulton se mbi 35 për qind është pjesëmarrja e këtij lloji të ekonomisë në tregun kosovar. “Ky është dëm i madh për ekonominë, biznesin, por edhe për vetë buxhetin e Kosovës. Më këto parametra është edhe një rrezik i madh për investimet e huaja, sepse investitorët potencialë dhe ata legalë, vështirë vendosin të shkojnë në një shtet ku informaliteti është në masë kaq të madhe prezente”, thekson Shahini.
Autoritetet kompetente, thotë Shahini, duhet që të gjejnë forma, që mos të lejojnë që ekonomia joformale të jetë profit i krimit të organizuar dhe faktor kyç i destabilizimit të gjendjes ekonomike dhe politike në vend.
Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se me qëllim të luftimit të kësaj dukurie, kanë krijuar mekanizma ligjorë dhe kanë hartuar Planin e Veprimit të Programit për Parandalimin e Ekonomisë Joformale, që sipas tyre, ka dhënë rezultate të dëshiruara.
Menderes Ibra, këshilltar në Ministrinë e Financave, thotë për Radion Evropa e Lirë se luftimi i kësaj dukurie është gjithmonë detyrë dhe sfidë e rëndësishme për autoritetet kompetente. “Në kuadër të programit për parandalimin e ekonomisë joformale, si tregues pozitiv, po flas për vitin 2011, mund të merret edhe fakti i rritjes ekonomike mbi 5 për qind, si dhe shtimi i inkasimit të të hyrave në dy agjencitë kryesore të vendit për grumbullimin e të hyrave, siç janë Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Ky është një indikator që tregon se megjithatë, është një shenjë e zvogëlimit të informalitetit”, thekson Ibra.
Por, njohës të çështjeve ekonomike thonë se përveç deklaratave publike për luftimin e kësaj dukurie, ekzekutivi i vendit nuk ka treguar vullnet dhe gatishmëri të duhur për parandalimin e ekonomisë joformale. 

Hamza e pranon se Kosova do të preket nga kriza

Për herë të parë, ministri i Financave, Bedri Hamza, pranon se kriza globale do ta prek edhe Kosovën, por sipas tij, do ketë limite, ngase Kosova nuk ka zhvillim të mirë ekonomik e nuk ka si të goditet shumë. Sa i përket tatimit në pronë, megjithëse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka rekomanduar të jetë 0.05 për qind, ai thotë se më e ulëta do të jetë 0.15 për qind, e për më shumë vendosin vet kryetarët e komunave.
“Efektet e krizës globale dhe të eurozonës kanë ndikim të kufizuar në Kosovë. Nuk janë pa ndikim, por është ndikim i kufizuar. Një prej arsyeve është se Kosova nuk ka shumë qasje në tregjet financiare nuk jemi në atë zhvillim apo në atë nivel që të jemi pjesë e tregjeve financiare globale. Më tepër kriza në Eurozonë tash njihet si krizë e borxheve”, tha ministri i Financave Bedri Hamza.
Ai pranon se me gjithë planin fillestar që deficiti buxhetor këtë vit të jetë rreth 3 për qind, pas marrëveshjes me FMN-në, do të merren masa strukturore dhe planifikohet që në fund të 2012 të jetë rreth 2 për qind.
Bilanci i lirë bankar për shpërndarje, sipas Hamzës, këtë vit do të jetë rreth 40 milionë euro më pak se në vitin 2011.
Ndërsa, nga 5 milionë euro sa janë rezervë buxhetore tashmë gjysma e tyre janë ndarë për të prekurit nga fatkeqësitë natyrore që kanë ndodhur në vetëm tre muajt e parë.
“Gjatë planifikimit të buxhetit për këtë vit, kemi qenë mjaft të kujdesshëm, kemi marrë në konsideratë ecuritë në Eurozonë e cila mund ta ketë ndikimin e vet në ekonominë e Kosovës, qysh është çështja e remitencave, të cilat në Kosovë vijnë kryesisht nga dy ekonomi që janë mjaft stabile, pra nga Gjermania dhe Zvicra”, tha ai.
Ministri Hamza tha se është nevojë e Kosovës që rritjen ekonomike të jetë 7 për qind, me qëllim të ndikohet në uljen e papunësisë në zvogëlimin e varfërisë e shumë të tjera.
“Nuk ka asnjë indikacion që neve na thotë se rritja ekonomike mund të jetë nën 3.8 për qind, pra të hyrat po performohen mirë, ekzekutimi i buxhetit është t’u ecë mirë, ka investime në sektorin privat, ka zhvillime të projekte të caktuara , nuk e vërejmë se ka ndonjë rënie të konsumit, inflacioni në masë të madhe është stabilizuar dhe pritet të jetë brenda parametrave të caktuar, prandaj nuk presim që të jetë nën 3.8 për qind”, tha ai.

Evans: Chelsea në formë të mirë

Jonny Evans thotë se presioni është shtuar në Manchester Cityn, pas fitores së Manchester United ndaj Wolves gjatë vikendit.
Manchester City ka një përballje të vështirë gjatë kësaj jave, pasi pret Chelsean në fushë të vet të mërkurën. Dhe Evans mendon se Blutë po kalojnë në një formë të mirë dhe se do të arrijnë ta ndalojnë Cityn.
“Fitorja jonë shton presionin në Manchester Cityn, veçanërisht pasi ata do të përballen me Chelsean të mërkurën, që janë në formë tash”.
“Ata fituan së fundi [5-2 kundër Leicester] në ndeshjen e Kupës FA, andaj jam i sigurt se do të jenë në humor të mirë. Është një ndeshje e madhe”, ka thënë Evans.