Transformim radikal i qeverisjes lokale

Qeverisja lokale në Kosovë, përgjatë katër viteve të fundit, është ballafaquar me një transformim radikal, i cili ka ndodhur në tri nivele, në nivelin e zbritjes së përgjegjësive nga qendra tek niveli komunal përmes procesit të decentralizimit dhe ligjeve që janë në fuqi dhe kushtetutës, pastaj përmes riorganizimit territorial, respektivisht themelimin e pesë komunave të reja dhe zgjerimin e komunës së Artanës. Ky vlerësim doli të enjten gjatë prezantimi të një raporti nga Instituti i Kosovës për Qeverisje Lokale (IKQL) me temën “Blerësit misteriozë”.

Drejtori i IKQL, Besnik Tahiri, gjatë prezantimit të raportit tha se qeverisja lokale në tri vjetet e fundit ka pasur një transformim radikal, i cili ka ndodhur në tri nivele. Ai pohon se raporti ka nxjerrë në pah se ka shpërputhje në mes të asaj që është në letër dhe realizimit të tyre në praktikë nëpër komunat e Kosovës, transmeton Kosovapress.
Sipas Tahirit kur flitet për qeverisjen lokale në Kosovë, zakonisht mendja shkon tek themelimi i komunave të reja, a në fakt shumë pak hulumtohen, debatohen dhe testohen shërbimet që i ofrojnë komunat për qytetarët e saj.
Sipas tij, nga hulumtimi i bërë, kanë vërejtur se ekziston një hendek i madh në mes të asaj që është në letër dhe zbatimit të praktikë. Kjo, sipas Tahirit, ka ndodhur, jo për shkak së komunat nuk kanë dashur t’i zbatojnë ato, por për shkak se komunat gjatë kohës së reformave nuk kanë pasur mbështetje financiare e shumë shërbime të tjera.
Raporti i IKQL-së ka nxjerrë në shesh shumë defekte sa i përket shërbimeve komunale. Sipas tij, uebfaqet komunal duhet të jenë të punuar në atë mënyrë që ato të jenë më lehtë të shfrytëzueshme për qytetarët; problemet e qasjes në gjuhë të ndryshme dhe mungesës së shërbimeve shtesë për pajisje online me dokumente për qytetarë.