ICO për veriun: Beogradi të ndryshojë qasjen, Prishtina të afrohet

Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë, ka shpallur publikimin e raportit “Mysafirë në shtëpinë tonë: Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin dhe komuniteti serb në veri të Kosovës”.

 Raporti është rezultat i një aktiviteti të konsultimit me qytetarët i zhvilluar nga zyra e ICO-s në Mitrovicë, me ç’rast është diskutuar me mbi 100 serbë. “Për të parën herë, ky është zëri i një mostre solide dhe përfaqësuesve të serbëve, që jetojnë në veri të Kosovës” thuhet në raport.
Në raport citohen po ashtu edhe fjalët e një serbi që ka theksuar se e di që në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin parashihet universiteti, donacionet nga Beogradi, por dëshiron të dijë se cili është plani i qeverisë së Kosovës. “Sa shkolla, sa spitale etj, do të hapin në veri?”
Në raport konkludohet se serbët e veriut nuk kanë mekanizma të pranueshëm apo të dëshiruar, që do të mundësonin adresimin e shqetësimeve të tyre. Thuhet se gjendja në terren nuk do të përmirësohet nëse nuk do të ndryshoj mendimi dhe qëndrimi në Beograd.
Po ashtu, në këtë raport theksohet se edhe qeveria e Kosovës duhet të bëjë maksimumin për t’ia shtrirë dorën komunitetit serb në veri, me qëllim të integrimit më të shpejtë të tyre në shoqërinë kosovare.