Zgjedhjet presidenciale më 2013, jo edhe të përgjithshmet

Kryeministri Hashim Thaçi ka normuar përcaktimin e tij për kohën kur duhet mbajtur zgjedhjet presidenciale. Ka vendosur të organizohen në vitin 2013.

Kohën e organizimit të zgjedhjeve Qeveria e ka publikuar në Kornizën afatmesme të shpenzimeve 2013-2015, që e ka miratuar të mërkurën. Gazeta ka siguruar një kopje të saj, dhe viti zgjedhor ndodhet i identifikuar në kapitullin ku flitet për shpenzimet. Aty jepet arsyetimi se përse në vitin e ardhshëm do të ketë rritje të ndjeshme të shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Një vit më parë, pas ngërçit politik rreth zgjedhjes së presidentit, dy subjektet më të mëdha, PDK-ja dhe LDK-ja, por edhe AKR-ja si parti përbërëse e koalicionit qeverisës, vendosën t’i hyjnë procesit të reformës zgjedhore. Marrëveshja përfshinte themelimin e dy komisioneve.
I pari ka pasur për detyrë të përgatisë amendamente kushtetuese për ta ndërruar mënyrën e zgjedhjes së presidentit – nga zgjedhja nëpërmjet Kuvendit, në zgjedhje të drejtpërdrejtë. Ndërkohë i është dhënë mandat shtesë për të ndryshuar edhe kompetencat e presidentit. Marrëveshja precizon se brenda gjashtë muajsh pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve duhet organizuar zgjedhjet presidenciale. Orientimisht i bie që ato të mbahen në vjeshtën e sivjetme.
Komisioni i dytë ka hapur për ndryshim Ligjin për zgjedhje të përgjithshme. Këtë të hënë komisionit i ka skaduar mandati për të përgatitur ndryshimet. Ka kërkuar edhe tre muaj kohë shtesë. Anëtarët nuk janë dakorduar për zonat zgjedhore, për listat, për pragun zgjedhor, etj. Sikur të përfillej dinamika e punës e dakorduar me marrëveshjen politike, zgjedhjet nacionale do të duhej të mbaheshin në vjeshtën e 2013-s.
Por kryeministri Hashim Thaçi javën e shkuar publikisht ka thënë se tek në fund të 2014-s do t’ia japë opozitës shansin për t’u përballur.
Edhe në Kornizën afatmesme të shpenzimeve 2013-2015, nuk ka paraparë buxhet për zgjedhje nacionale në 2013-në. Për këtë vit u është referuar vetëm zgjedhjeve presidenciale.