Është kthyer nga Turqia, togu i FSK-së i cili mori pjesë në një trajnim në Brigadën e 28-të Korpusit të Tretë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Turqisë dhe në Qendrën e Partneritetit për Paqe në Ankara, për operacione mbështetëse të paqes.
Trajnimi i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi, nga 22 marsi deri më 26 prill, u mundësua nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë, në bazë të Marrëveshjes bilaterale për bashkëpunimin ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Turke, thuhet në një kumtesë të FSK-së.
Në vizitë zyrtare në Ankara qëndroi edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, së bashku me komandantin e Brigadës për Reagim të Shpejtë të FSK-së, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, të cilët u pritën nga personalitet të larta ushtarake të Turqisë.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati, falënderoi Forcat e Armatosura të Turqisë, për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Forcës së Sigurisë së Kosovës, posaçërisht trajnimin e Togut të FSK-së, për operacione paqeruajtëse jashtë vendit, si dhe njëherësh përcolli nga afër trajnimet finale të Togut të FSK-së.
Ky është trajnimi i parë për mbështetje të operacioneve paqësore në botë i një Togu të FSK-së.
Trajnimin e kanë përfunduar me sukses të gjithë pjesëtarët e FSK-së, të cilët janë shpërblyer me medalje dhe certifikata nga Akademia Ushtarake e Forcave të Armatosura të Turqisë.