Kandidati për president i Republikës së Serbisë, Boris Tadic, gjatë fushatës së tij në Sabac, ka deklaruar se nuk mendon që Kosova është zemra e Serbisë, por qytetarët e saj.
“Secili qytetar është zemra e Serbisë, sepse siguron të ardhmen e vendit. Nuk lejoj të na shkelin në Kosovë, të cenohet integriteti ynë në Kosovë, por nuk dëshiroj luftë. Duam që me rrugë paqësore të luftojmë për Kosovën” ka thënë Tadic, raporton B92.
Ai ka thënë se nuk e përkrahë idenë e ndarjes së Kosovës, nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës, por sipas tij duhet të gjendet një zgjidhje, e cila nuk do të jetë e lehtë.
“Duke mbrojtur Kosovën ne mbrojmë integritetin e vendit tonë. Andaj nuk do të ndalemi të mbrojmë interesat tona nacionale, ndryshe do të vinim në pikëpyetje integritetin, dhe gjithçka tjetër, siç janë investimet dhe e ardhmja”, ka thënë ndër të tjera Tadic.
Babait të kombit serb, Dobrica Cosic, vazhdimisht e ka promovuar gënjeshtrën si instrumentin më të mirë institucional për interesa kombëtare të Serbisë. Po ashtu, shumica e politikanëve serbë vazhdojnë ta quajnë Kosovën “zemra e Serbisë” për të treguar gjoja lidhshmërinë që ka Serbia me Kosovë, të cilën në fakt e kishte okupuar në fillim të shekullit të kaluar.