Kuçi: Pa kompromis kundër kriminalitetit

Kosova nuk është në nivelin e kënaqshëm të luftës kundër kriminalitetit ekonomik në përgjithësi. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë që ai nuk është duke u luftuar me shumë forcë nga të gjitha degët e pushtetit tonë. Kështu ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në konferencën “Projekti kundër krimit ekonomik në Kosovë”, e cila u organizua nga Këshilli i Evropës.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka falënderuar Këshillin e Evropës dhe institucionet ndihmëse të BE-së në Kosovë, të cilat kanë ndihmuar institucionet e Kosovës në luftën kundër kriminalitetit, “veçanërisht për këtë luftë që po e fillojmë sot përmes këtij projekti kundër kriminalitetit ekonomik”, transmeton Koha.net.
“Dua të veçoj këtu që Kodi i ri Penal, i cili sapo është miratuar nga Kuvendi, si qëllim parësor ka pasur ashpërsimin e luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit”, tha ministri Kuçi, duke paralajmëruar se edhe Kodi i ri i Procedurës Penale së shpejti do të dërgohet në Qeveri për miratim.
“Përmes këtij Kodi ne jemi përpjekur që t’i fuqizojmë prokurorët dhe gjyqtarët tanë me procedura dhe mjete të ndryshme ligjore në mënyrë që kriminaliteti të luftohet me më shume efikasitet dhe efektivitet por njëkohësisht të kujdesemi për garantimin e të drejtave të njeriut gjatë procedurës”, u shpreh ai.
Një tjetër ndryshim, sipas Kuçit, me shumë rëndësi në luftë kundër kriminalitetit, është krijimi i dhomave të veçanta brenda gjykatave themelore dhe asaj të Apelit në Prishtinë, e cila do të jetë kompetente vetëm për veprat penale nën kompetencën e Prokurorisë Speciale.
“Veprat penale të kriminalitetit ekonomik, përshirë këtu korrupsionin, krimin e organizuar, financimin e terrorizmit dhe format e tjera të tij dhe shpëlarja e parave do të gjykohen nga dhoma të specializuara pikërisht për to”, tha ai.