Thaçi ‘konfrontohet’ me opozitën

Kryeministri, Hashim Thaçi në seancën e Kuvendit të Kosovës i është drejtuar deputetëve lidhur me situatën e tensionuar në veri, duke theksuar se nuk mund të pajtohet me thirrjet e disa deputetëve për përdorimin e forcës shtetërore për veriun e vendit, ndërsa gjatë seancës Thaçi është ‘konfrontuar’ ashpër me qëndrimet e opozitës.

Ai para deputetëve të Kuvendit theksoi se i kupton emocionet e qytetarëve dhe reagimet e deputetëve të emocionuar në lidhje me veriun, mirëpo theksoi se nuk mund të pajtohet me thirrjet e disa deputetëve për përdorimin e forcës në veri.
Kjo deklaratë e Thaçit vjen pas prononcimeve të ndërkombëtarëve të cilët kundërshtojnë ashpër përdorimin e forcës në veri dhe përsëritjen e 25 korrikut për kthimin e sundimit të ligjit.
Për kreun e ekzekutivit kosovar integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht. “Kosova është një dhe e pandarë”, tha Thaçi.
Ai tha është zhgënjyese kur deputetët, duke iu referuar atyre të opozitës i kërkojnë kryeministrit të jetë në kuvend për gjendjen në veri, ndërkaq kur kryeministri del në foltore ata lëshojnë seancën dhe kjo, sipas tij, tregon se e tërë kjo nga opozita ka qenë me motive elektorale dhe nuk ka qenë interesi për gjendjen e sigurisë në vend.
Thaçi ka folur edhe për vrasjen e qytetarit Selver Haradinaj, të cilën e ka quajtur akt kriminal, ndërsa theksoi se janë duke u zhvilluar hetimet.
Kryeministri ka përmendur edhe arrestimin e policëve të Kosovës nga xhandarmëria serbe, duke thënë se nuk është e drejtë që përgjegjësia t’i adresohet qeverisë, pasi sipas tij, ata kanë qenë me uniformë zyrtare, të armatosur dhe janë kidnapuar në territorin e Kosovës dhe si rrjedhojë është dashur ta mbrojnë Kushtetutën dhe territorin e Kosovës.
Lidhur me akuzat për takimet e zyrtarëve kosovarë me atë serbë, Thaçi tha se të gjithë, edhe ata nga opozita janë takuar me zyrtarë serbë, prandaj tha se është mirë që takimet e tilla opozita të paktën t’i bëjë publike.
Deklaratat e Thaçit për gjendjen në veri dhe për çështje tjera vijnë pasi, të mërkurën në seancën e jashtëzakonshme për veriun opozita ka lëshuar seancën kur Thaçi ka filluar të flasë për veriun.
Deputetë opozitar kanë kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës se nuk po bën asgjë për veriun e Kosovës, madje sipas tyre gjendja është përkeqësuar krahasuar me vitet e mëhershme. Deputetët opozitarë po ashtu theksuan se zyrtarët qeveritar po harrojnë çfarë po deklarojnë, duke thënë fillimisht se do të mund të përsëritet 25 korriku për veriun, ndërsa tani thonë se nuk do të përdorin forcën.
Ndryshe, seanca po vazhdon me kritika të ashpra pozitë-opozitë, duke shkuar madje deri në atë masë, sa sipas tij opozita nuk do ta ketë rastin më të “shesë patriotizëm”.