Më 2 maj, verdikti për rastin “Kleçka”

Procesi gjyqësor në rastin “Kleçka” pritet të përfundojë më 2 maj. Kryetari i trupit gjykues, Jonathan Welford-Carroll, u ka shkruar të mërkurën pasdite prokurorit special, Maorizio Salustro dhe avokatëve mbrojtës, duke i njoftuar për këtë seancë. “Ju lutem, të informoheni se, duke pasur parasysh dërgesën e Prokurorisë të datës 4 prill 2012, trupi gjykues nuk do të lëshojë urdhëresa. Në seancën e ardhshme më 2 maj 2012 parashikohet që të përfundohet shqyrtimi gjyqësor (varësisht nga propozimet që do të mund të parashtronin palët)”, ka thënë ai në këtë njoftim.

Avokati Tahir Rrecaj e ka konfirmuar njoftimin. Ai pret që më 2 maj të shpallet aktgjykimi, sipas tij, lirues kundër Fatmir Limajt, Naser Krasniqit, Nexhmi Krasniqit e Naser Shalës.
“Ai aktgjykim do të jetë vetëm lirues, sepse nuk ka asnjë arsyetim që të ketë aktgjykim tjetër”, ka thënë Rrecaj, transmeton Koha.net.
Aktgjykimi pritet të shpallet pas refuzimit të prokurorit për ndryshimin e aktakuzës. Prokurori ishte treguar mospërfillës ndaj urdhrit të gjykatës, të shpallur më 30 mars. Ai kishte bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga versioni i aktakuzës së ngritur më 25 korrik të vitit të kaluar dhe të konfirmuar një muaj më vonë. Bile ka urdhëruar gjykatën që të veprojë njësoj sikurse ndaj gjashtë të akuzuarve të shpallur të pafajshëm edhe në rastin e katër të tjerëve.
“Gjykata tashmë e ka bërë këtë me gjashtë të tjerët të akuzuar, të cilët janë liruar dhe duhet të sillet në të njëjtën mënyrë në lidhje me katër të akuzuarit që janë ende në gjykim”, ka thënë prokurori, duke kërkuar nga trupi gjykues që ta revokojë vendimin për mospranimin e dëshmive të dëshmitarit Agim Zogajt.
Këtë përgjigje prokurori e ka dhënë pak ditë pas shpalljes së aktgjykimit kundër të akuzuarve në rastin “Kleçka”. Me këtë aktgjykim, kolegji penal ka vendosur që gjykimi kundër Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës e Naser Krasniqit do të vazhdojë për përgjegjësitë komanduese që kishin 13 vjet më parë në një nga zonat e luftës.
Përjashtimi i ditarëve dhe i dëshmive të Agim Zogajt si prova materiale mbi të cilat nuk mund të shpallej aktgjykimi për shkak të vdekjes së tij, ka bërë që një trup gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Jonathan Welford-Carroll t’i shpallë të pafajshëm, Arben Krasniqin, Behlul Limajn, Refki Mazrekun, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.