Kushtrim Hoxha në “Old Globe”

Në një audicion në të cilin kanë aplikuar 1880 aktorë, janë pranuar vetëm 7 të tillë. Nuk do të ishte lajm i madh, por njëri nga këta fatlumë është aktori kosovar Kushtrim Hoxha.

Ky i fundit është pranuar për të qenë pjesë e teatrit Old Globe në San Diego të Kalifornisë, gjegjësisht programit “Master of Fine Arts”(Master i Arteve të Bukura).
Hoxha ka filluar me audicionet vitin e kaluar, në janar ka hyrë në listën e ngushtë, ndërsa sapo ka marrë lajmin që midis aktorëve nga Nju-Jorku, Nju-Xhersi dhe Los-Anxhelosi gjendet emri i tij dhe i shtetit të Kosovës.
“Audicionin e kam filluar vitin e kaluar, kur edhe i kam nisur përgatitjet. Në janar të këtij viti më kanë lajmëruar se kam hyrë në rrethin e dytë”, ka thënë Hoxha. Shkurti i këtij viti Hoxhën do ta gjente në Amerikë për dy audicionet e fundit.
“Aty kemi qenë 30 aktorë dhe vetëm shtatë jemi pranuar”, ka shtuar ai.
Shtatë monologë, prej tyre katër nga Shakspeare dhe tre të tjerë nga autorë të ndryshëm, do të bindnin jurinë që Hoxha të bëhej pjesë e universitetit dhe teatrit. E vendimin për pranim do t’ia kumtonte Hoxhës edhe i pari i këtij universiteti, Richard Seer.
“Është kënaqësi që t’ju njoftoj se jeni pranuar në ‘The Old Globe-Universiteti i San Diegos’ në programin e aktrimit, vitin tjetër”, ka shkruar Seer.
Oferta për Hoxhën përfshin një bursë të plotë dyvjeçare me kosto prej më shumë se 100 mijë eurosh.